Zaev: Negociatat rreth emrit në fazën përfundimtare


Ndërsa bisedimet për çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë po vijojnë vrullshëm, kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se vendi nuk ka qenë kurrë më afër arritjes së një zgjidhjeje të mosmarrëveshjes 25 vjeçare të emrit me Greqinë. Edhe nëse nuk arrihet një kompromis, ka shtuar Zaev, nuk do të ishte fundi i botës, pasi vendi do të vazhdojë të integrohet në Europë.

“Besoj se kurrë nuk kemi pasur rrethana më të mira për të arritur një zgjidhje të plotë, e cila do të zgjasë me shekuj, përgjithmonë. Maqedonia do të vazhdojë programin europian në një mënyrë apo në një tjetër dhe ne do ta sjellim Europën në Shkup. Jam shumë i lumtur që një pjesë e madhe e çështjeve të pazgjidhura mes dy vendeve, po shkojnë drejt një përfundimi pozitiv. Ne do të mbetemi të përkushtuar në rrugën tonë drejt BE dhe NATO-s pasi atje e shohim të ardhmen e qytetarëve të këtij vendi”.

Kryeministri maqedonas ka theksuar se e shikon si një mesazh për dyer të hapura Raportin e Komisionit Europian. Por Zoran Zaev ka sqaruar se kjo nuk do të thotë që Maqedonia nuk duhet të përmirësojë marrëdhëniet e saj me vendet e tjera, duke përfshirë Rusinë. / VizionPlus