Zaev: Mosmarrëveshja me Greqinë për emrin mund të zgjidhet në 2018


“Gjysma e parë e vitit 2018 mund të ofrojë një mundësi të mirë për të zgjidhur mosmarrëveshjen e emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë”, deklaroi kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.

“Gjashtë muajt e parë të vitit 2018 do të ofrojnë një mundësi shumë të mirë për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për këtë problem… Që më në fund të ecim përpara duke caktuar një datë për fillimin e negociatave të pranimit në BE dhe NATO”, tha Zaev, transmeton Albeu.com.

“Për momentin nuk ka patur negociata mbi çështjen e emrit të Maqedonisë, kontaktet që po mbahen me ndërmjetësin e OKB-së, Matthew Nimetz kanë treguar një vendosmëri nga të dyja palët për të zgjidhur këtë çështje”, theksoi ai.

Greqia ka kundërshtuar përdorimin e emrit “Maqedoni” nga fqinji i saj verior, që është i njëjtë me krahinën greke të Maqedonisë, me arsyetimin se keqinterpretohet historia dhe gjeografia e rajonit duke ushqyer tendenca dhe pretendime të mundshme irredentiste.