Zaev: Me Gruevskin biseduam në mënyrë të hapur si subjekte politike


Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se takimi i mbrëmshëm me liderin e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski që e pati në kabinetin e presidentit Gjorge Ivanov kaloi në mënyrë konstruktive dhe se tema e bisedimeve, siç kumtuan edhe nga kabineti i Ivanovit dhe siç deklaroi sot edhe Gruevski, ishte normalizimi i proceseve politike pas arrestimit të rreth tridhjetë personave të involvuar në ngjarjet në Kuvend.

“Biseduam në mënyrë të hapur vetëm e vetëm me qëllim si subjekte përgjegjëse përmes dialogut të gjejmë zgjidhje për çështjet të cilat janë problematike për cilat do palë në shtet. Veçanërisht u theksua nevoja që opozita të përfshihet tërësisht në mënyrë inkluzive në proceset të cilat vijnë dhe natyrisht e shprehin pakënaqësinë e tyre për shkak të rasteve të cilat kanë implikim të caktuar ligjor të theksuar përmes lëndëve të cilat zhvillohen nga ana e organeve gjyqësore”, tha Zaev.

Informoi edhe se mbrëmë është dakoruar që takimet dhe bisedimet të vazhdojnë edhe më tej.

Zaev refuzoi t’i komentojë vendimet e gjykatës që tridhjetë personave të dyshuar t’ju caktojë paraburgim, ndërsa gjashtë prej tyre arrest shtëpiak.

“Nuk do të doja t’i komentoj vendime gjyqësore ose të ngjashme. Unë i përkushtohem aspektit politik për atë që jam politikan. Pres të respektohet Kushtetuta dhe ligjet. Të jepet kujdes komplet për respektimin e normave ligjore në vendin tonë dhe asgjë më shumë e asgjë më pak”, tha Zaev.

Shtoi edhe se beson se në Maqedoni duhet të ketë qeverisje të të drejtës, por se njëkohësisht duhet të bëhet kujdes për shkak të perspektivave të shtetit.

“Maqedonia është e drejtuar para proceseve serioze. Na presin reforma serioze dhe besoj se në atë frymë absolutisht do të mund përmes bisedave me subjektet politike të gjejmë zgjidhje politike”, tha kryeministri Zaev.