Zaev: Maqedonia dhe Shqipëria me ftesë të merituar për anëtarësim në BE

Kryeministri Zoran Zaev sot shprehu, siç tha, kënaqësi të madhe nga vendimi i djeshëm për marrjen e datës për negociata me Bashkimin Evropian në qershor të vitit 2019.

“Duke e pasur parasysh se në maj të vitit 2019 janë zgjedhjet për Parlamentin Evropian, vendimi i BE-së është tërësisht me pritjet tona. Ne jemi të lumtur dhe në mënyrë plotësuese të motivuar”, tha Zaev sot para fillimit të fjalimit të tij në seminarin e 98-të ROS-ROT në Kuvend.

Ai i falënderoi të gjitha vendet-anëtare të Bashkimit Evropian për këtë, siç tha, vendim motivues për Maqedoninë, njofton Koha.mk.

“Posaçërisht më vjen mirë që dy fqinjët e tanë, Bullgaria dhe Greqia zhvilluan diskutim të frytshëm dhe luftuan për këtë vendim të dëshiruar për Maqedoninë, si dhe për Shqipërinë”, tha kryeministri.

Ai gjithashtu uroi Shqipërinë për vendimin e djeshëm të Këshillit për punë të përgjithshme të BE-së në Luksemburg.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të të pranishmëve, Zaev tha se të premten do të ketë takim dhe se pas atij takimi do të publikojnë pritje të vendimit nga Samiti i NATO-s.

“Unë të premten në mëngjes do të jem me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg në një takim pune dhe në konferencë shtypi dhe e di se do ta publikojmë vendimin e pritshëm më 11 dhe 12 korrik për ftesën e Maqedonisë për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO. Kjo do të thotë të dërgohet ftesë dhe fillimin e skenin procesit prej tre deri pesëmujor që edhe njëherë ta kontrollojmë vendin dhe të shohim nëse në esencë është e përgatitur mirë me ç’rast pas tre muajsh presim të hapet ftesa për nënshkrimin e Protokollit prej të gjitha vendeve anëtare të NATO-s”, tha Zaev.

Është i bindur se të gjitha anëtaret e NATO-s do ta ratifikojnë Marrëveshjen.

“Do të na duhet ndihma prej miqve që kjo të jetë më shpejtë pasi që Maqedonia me vite të tëra është duke pritur para dyerve të NATO-s. Besojmë se ky inkurajim i fuqishëm jo vetëm për ne por edhe për vendet e tjera kandidate për anëtarësim në NATO do të thotë motivim i fuqishëm të vazhdojnë nëpër rrugën nëpër të cilën lëvizte Maqedonia dhe ja arriti përfundimisht ta marrë ftesën prej NATO-s”, tha Zaev.

Paraprakisht, në fjalimin e tij kryeministri Zaev tha se Maqedonia nga pavarësia kaloi nëpër një rrugë të rëndë.

“Maqedonia është duke punuar me përkushtim për anëtarësim në BE dhe në NATO që nga pavarësia e saj. Si shtet sot jemi të përkushtuar edhe në ndërtimin e kohezionit ndëretnik përmes krijimit të një shoqërie për të gjithë”, tha kryeministri i Maqedonisë.

Përkujtoi se nënshkruam marrëveshje për miqësi me Bullgarinë siç tha, “duke i dhënë fund njëdekadëshit së qëndrimeve të dëmshme politike të të dyja palëve”. Që atëherë tregtia me Bullgarinë është rritur për 11,5 për qind.

Me Marrëveshjen për emrin, Zaev tha se do të krijohen edhe kushte të reja për bashkëpunim dhe tregti.

“Për Maqedoninë kjo do të thotë ftesë për në NATO si anëtarja e plotfuqishme e 30-të dhe mirënjohje për angazhimet tona të kaluara, aktuale dhe të ardhshme si faktor stabilizues në rajon dhe më larg”, tha midis tjerash Zaev.

Kryeministri potencoi se Maqedonia përveç zgjidhjes së kontestit për emrin, do të punojë në zbatimin e reformave të cilat prej saj i kërkon Bashkimi Evropian dhe NATO për çka ka konsensus shoqëror.

Vendimi i djeshëm i Këshillit për çështje të përgjithshme të BE-së në Luksemburg, theksoi Zaev është udhërrëfyes i qartë për të ardhmen e Maqedonisë, na jep stimul të vazhdojmë më tej.