Zaev lë derën hapur për Aleancën, Ziadin Sela: më dëbuan nga qeveria!

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev nuk do që Aleanca e Ziadin Selës të ikë nga koalicioni qeveritar. Ndaj, Zaev ende rezervon postin e zv/kryeministrit për reforma, ndaj të cilit Selëa thotë se bëhet fjalë për një ministri formale, e cila është krijuar me qëllim që ai të largohet nga qeveria. Por kryeministri maqedonas pohon se ky është një post serioz.

“Vendin po e ruaj për Aleancën për Shqiptarët dhe do ta ruaj. Aleanca për Shqiptarët është parti e re. I kemi dhënë një vend shumë të rëndësishëm. Nënkryetari i reformave do ta koordinojë madje edhe punën e Zaevit , do ta koordinojë Ministrinë e Drejtësisë, ministrin e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Çështjeve Evropiane. Suksesi i reformave kësaj partie do t’i japë një bazë për të përparuar në pozitën e saj”, u shpreh Zaev.

Nga ana tjetër, ky I fundit nuk përjashton mundësinë që vendet boshe që i la Aleanca për Shqiptarët në qeveri të plotësohen nga PDSH-ja. Duke theksuar se akoma nuk ka marrëveshje dhe bisedime konkrete me PDSH-në, Zaev saktëson se më 4 janar vendet e zbrazëta do të plotësohen duke lënë mundësinë që deri atëherë të arrihet marrëveshje për partneritet të ri në koalicion. Gatishmërinë e Zaevit për të inkuadruar edhe PDSH-së në kuadër të shumicës e mbështet edhe BDI-ja.