Zaev: Instancat gjyqësore ta zbardhin të vërtetën dhe drejtësia të vihet në vend për Liqenin e Smillkovës


Instancat gjyqësore duhet ta zbardhin të vërtetën dhe të vihet drejtësia në vend lidhur me rastin për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës dhe opinioni duhet t’i dijë të gjitha detajet, deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev para Gjykatës Penale pas përfundimit të seancës për rastin “Ryshfeti”.

Theksoi se në mënyrë të vazhdueshme ka takime me anëtarët e familjeve të fëmijëve të cilët u vranë në ditën e sotme para gjashtë vitesh në Liqenin e Smillkovës.

Kryeministri tha se para rreth dy muajsh është parë me një pjesë të prindërve, nënave të fëmijëve dhe të gjithë, siç shtoi, jemi të pajtimit se tani duhet t’u lihet instancave gjyqësore që ta zbardhin të vërtetën dhe të vihet drejtësia në vend në lidhje me këtë rast.

“Rastet për të cilat në mënyrë të veçantë është i interesuar opinioni, siç është Nikolla Mlladenov, Liqeni i Smillkovës, ngjarjet e Kumanovës, kanë arsye plotësuese opinioni t’i mësojë të gjitha detajet, të vërtetën e plotë dhe Maqedonia ta presë drejtësinë ashtu siç është në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin. Nëse duam të jemi shtet, nëse jo, atëherë mbeten intrigat, spekulimet dhe bie besimi tek institucionet. Vetëm përmes të së vërtetës së plotë dhe përmes drejtësisë së plotë mundet qytetarët të besojnë në institucionet sistemit”, theksoi Zaev.

Ai theksoi se deri më tani as nuk ka aluduar e as nuk duhet të aludojë ndonjë politikan të jetë prokuror, hetues ose gjykatës.

“Detyrë e jona ishte t’i japim ato komente të cilat si qytetarë i ndjejmë, ndërsa detyrë ishte materialet t’ua dorëzoj organeve hetuese të cilët e bëjnë atë. Vetëm ata mund të thonë se deri ku është hetimi, në ç’drejtim po hetohet, çfarë dëshmish janë siguruar, nëse këto dëshmi konfirmojnë veprën apo konfirmojnë një drejtim tjetër. Çdo koment i imi plotësues me të vërtetë është përzierje në jurisprudencë. Dhe kjo nuk është puna ime. Për këto vlera duhet të gjithë të jemi të përgatitur dhe të kemi kujdes në sjelljen tonë pasi që në vijim janë reformat në gjyqësi. Reformat do të thonë legjislaturë e mirë, me siguri edhe start i implementimit të mirë të kësaj legjislature”, tha Zaev në deklaratën për mediat para Gjykatës Penale.

Në ditën e sotme para gjashtë vitesh në Liqenin e Smillkovës u vranë djelmoshat Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski.

Për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës u hap lënda “Monstra”, ndërsa me burgim të përjetshëm u dënuan Halil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq dhe Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.

Gjykata Supreme në nëntor të vitit të kaluar i pezulloi aktgjykimet, i liroi nga burgu të dënuarit Agim Ismailoviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri dhe u përcaktoi masa kujdesi. Për gjykatën akoma nuk janë në dispozicion Halil Demiri dhe Afrim Ismailoviq për të cilët janë shpallur fletarrestime ndërkombëtare.

Muajin e kaluar rastin “Monstra” e mori Prokuroria Publike Speciale. Prokurorja Publike Speciale, Katica Janeva tha se pret që procesi gjyqësor të vazhdojë në muajin prill në fazën në të cilën është ndërprerë dhe se janë të gatshëm që lëndën ta prezentojnë para gjykatës.