Zaev i bie pishman, largon njërin nga partnerët e rinj qeveritar?!


Kryeministri Zoran Zaev është në prag të vendimit për të mos pranuar në koalicionin qeverisës, Lidhjen Rome të Amdi Bajram, pas reagimeve të ashpra të bashkëpartiakëve të tij, por edhe të partnerëve të koalicionit. Siç mëson INA, Zaev ka marrë ankesa të mëdha nga komuna e Shuto Orizares dhe nga partnerët e koalicionit, se nuk duhet të merret në koalicion Bajram, i cili bashkë me djalin e tij dyshohen për keqpërdorime gjatë pushtetit të kaluar. “Presim vendim, por siç kemi mësuar Bajram nuk do të pranohet dhe do të ngelet pezull dhe për momentin vetëm BESA dhe PDSH të jenë në koalicion”, theksuan për INA, burime nga partitë e koalicionit të LSDM-së.
Anëtari i LSDM, Kurto Dudush që është kryetar i komunës së Shuto Orizarës ka kërkuar që Lidhja Rome dhe kryetari e deputeti i saj Amdi Bajram të mos bëhen pjesë e Qeverisë.

“I nderuar kryeministër dua të të përcjellë porosinë e qytetarëve të komunës sime se ata nuk votuan për të ngritur Amdi Bajramin nga vdekja si politikan dhe për të rikthyer monstrën në vendin e krimit. Shpresoj se zëri i popullit do të jetë kyç që ju të shqyrtoni vendimin tuaj”, ka theksuar Dudush.

Kundër Amdi Bajramitjanë shprehur edhe parti të tjera rome, përfshirë edhe PCER e deputetit Samka Ibrahimovski, që është pjesë e koalicionit qeverisës. Ndërsa në ditën e publikimit të lajmit për zgjerimin e koalicionit edhe me këtë parti, në mënyrë indirekte përmes një postimi me mesazhin “politika e fëlliqur” ka reaguar edhe nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri. Ndërkohë, pritet që kryeministri Zaev sot të komentojë reagimet që kanë të bëjnë me përfshirjen në Qeveri të Lidhjes Rome që ka një deputet dhe që është kryetari i saj Amdi Bajram, që për më shumë se një dekadë ishte në koalicion me VMRO-DPMNE. (INA)