Zaev: Emri do të zgjidhet deri në fund të qershorit


Kryeministri, Zoran Zaev tha se gjatë negociatave me Greqinë, pala maqedonase nuk ka ndonjë linjë të kuqe duke mos zbuluar se cili propozim do të ishte i pranueshëm për të por ai shprehu bindjen se dy palët kanë kapacitet për ta zgjidhur kontestin shumëvjeçar deri në fund të qershorit, atëherë kur pritet të mbahet samiti i ardhshëm i NATO-s. Në intervistë për median greke Alfa Tv, Zaev theksoi se në vend të historisë duhet të fokusohemi në krijimin e mirëbesimit që do të çojë në zgjidhjen e çështjes kryesore që Greqia ka me emrin tonë kushtetues dhe në të ardhmen e përbashkët euro-atlantike.

Kemi kapacitet të dyja palët të hymë në gjetjen e zgjidhjes së këtij problemi esencial që ekziston si pengesë mes dy vendeve tona. Jam i bindur se ekziston zgjidhje e tillë dhe rendi është që këtë lloj zgjidhjeje para qytetarëve të Greqisë ta shpall kryeministri Aleksis Cipras, kurse unë këtu para qytetarëve të Maqedonisë. Por besoj se ekziston mundësia që deri në fund të gjysmës së parë të vitit 2018 të gjejmë zgjidhje që definitivisht do ta përparojë bashkëpunimin mes dy vendeve tona- deklaroi kryeministëri Zoran Zaev.

Zaev deklaroi se është i gatshëm të bisedojë me Greqinë për ndryshimin e emrit të aeroportit, për ta eliminuar kështu irredentizmin për të cilën e akuzon Greqia fqinje.

“Nëse kjo ka aq rëndësi jemi të gatshëm të bisedojmë edhe për këtë çështje, për shkak se besoj që është e mundur zgjidhja nëse qytetarët e të dyja vendeve e pranojnë, e kuptojnë dhe e dinë rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Gjithsesi jam i bindur se të gjithë qytetarët e Republikës së Greqisë janë më shumë për bashkëpunimin e ardhshëm që duhet dhe duam ta kemi midis dy popujve, midis dy vendeve sesa të jemi të ngatërruar në pjesët e formulimeve, titujve, toponimeve të caktuara ose ngjashëm që janë të lidhura me historinë”, shtoi Zaev.

Zaev porositi edhe opozitën e të dyja vendeve të kenë vullnet të mirë për t’i dhënë epilog çështjes.

Ai ndër tjerash tha se pret nga VMRO DPMNE-ja opozitare kontribut pozitiv në zgjidhjen e çështjes dhe kjo parti të kuptojë se është momenti kyç për zgjidhjen e çështjes dhe anëtarësimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

Në vazhdën e negociatave, Zv/kryeministri Bujar Osmani nesër në Athinë do të takojë shefin e diplomacisë greke, Nikos Kocijas dhe zëvendësin e tij, Jorgos Katrugalos. Osmani për deklaroi se edhe kjo vizitë është në kuadër të krijimit të mirëbesimit, partneritetit dhe miqësisë së mirë me finjët që t’i tejkalojmë dallimet dhe t’i bashkërendisim pozicionet për një të ardhme euro-atlantike të Ballkanit.

Duke vlerësuar se ky vit është pothuajse i papërsëritshëm sa i takon integrimit, Qeveria reformuese po krijon parakushtet e nevojshme të jemi sa më të përgatitur për muajt që vijnë. Andaj edhe kjo vizitë është në kuadër të krijimit të mirëbesimit, partneritetit dhe miqësisë së mirë me fqinjët që t’i tejkalojmë dallimet dhe t’i bashkërendisim pozicionet për një të ardhme euro-atlantike të Ballkanit- deklaroi zv/kryeministër për Çështje Evropiane Bujar Osmani. / Alsat -M