Zaev: El Çeka do të përgjigjet, le të publikojë edhe për mua


MPB vepron, ndërkaq iu jemi drejtuar edhe shteteve partnere – aleate prej nga mendojmë se në mënyrë të paautorizuar liferojnë biseda të incizuara, që është e ndaluar me ligj, në mënyrë që të veprohet sipas ligjit. Jam i informuar përmes MPB-së se nën udhëheqjen e Prokurorisë publike po zhvillohen hetime për tërë këto punë.

Kjo është përgjigjja e kryeministrit Zoran Zaev në pyetjen e gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp lidhur me bisedat të cilat i publikon El Çeka.

Ai është i bindur se materialet që publikohen në mënyrë joligjore nuk kanë dalë nga PSP-ja, sepse, siç tha, nga ajo që ka mundur të dëgjojë dhe t’i arsyetohet, ka parë se materialet tashmë të publikuara, sipas të gjitha gjasave, nuk janë në posedim të PSP-së.

Sipas Zaevit, pyetja është se kush, në përgjithësi, posedon materiale të këtilla në shtet. Ai përmendi se bëhet fjalë për biseda të incizuara në mënyrë joligjore në periudhën  e pushtetit të kaluar ekzekutiv prej vitit 2008 deri në vitin 2014.

Për Zaevin, publikimi i bisedave telefonike është vepër penale, por për shkaqet përse e bën dikush këtë, konsideron se duhen bërë analiza.

“Jam i tmerruar nga ajo që e dëgjoj sepse aty, para së gjithash, ka biseda private. Kur i posedonim ne, në mënyrë jashtëzakonisht profesionale, pa hyrë në çfarëdo lloj privatësie, e bëmë atë në mënyrë që t’i tregojmë indikacionet për paligjshmëri të mundshme, krim apo së paku, sjellje të palejueshme etike. Të gjitha i dorëzuam në PSP”, tha Zaev në konferencën për shtyp.

Në pyetjen e gazetarëve përse publikohen “bomba”, biseda telefonike private për BDI-në, e jo edhe për parti të tjera, Zaev kërkoi nga gazetarët “nëse kanë numër telefoni të El Çekës t’i lajmërohet dhe ta pyesë përse publikon vetëm për Ali Ahmetin, e jo edhe për të”.

“Ky njeri duhet të përgjigjet dhe kur do qoftë do të përgjigjet, bota është një fshat global dhe do të përgjigjet. A duhet ta motivoj që edhe për mua të publikojë. Do të përgjigjet, ja edhe përmes kamerave. Do të përgjigjet, këtë e ka drejtpërdrejt nga kryeministri”, kryeministri i bëri thirrje El Çekës sot nga konferenca për shtyp.

Ai e porositi edhe se privatësia është e mbrojtur, ekziston ligj dhe përgjigje penale.

“Ne si opozitë e atëhershme kemi marrë në disponim, sipas vlerësimit tim, diku rreth një të tretën e mbulimit, të përgjimit të palejueshëm. Në ato biseda të paautorizuara, 70 për qind janë opozitë, biznesmenë, OJQ, bashkësi fetare apo ngjashëm, përderisa 30 për qind janë partitë e atëhershme në pushtet”, tha mes tjerash kryeministri Zaev.