Zaev dhe Cipras të gatshëm për zgjidhje, Nimici vjen në Athinë dhe Shkup


Lëshime prej të dy vendeve, ngritje e negociatave në nivel të shefave të diplomacive, por edhe angazhim të fuqishëm për intensifikimin e procesit për zgjidhjen e kontestit me emrin, dakorduan në takimin e djeshëm të parë të drejtpërdrejtë kryeministrat e Maqedonisë dhe të Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, i cili u mbajt në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Maqedonia do të tregojë se në të vërtetë ka vullnet për zgjidhjen e kontestit. Në këtë drejtim, siç theksoi kryeministri Zoran Zaev, Qeveria to t’i riemërojë aeroportin dhe autostradën. Shtoi se prej tani autostrada do të quhet “Miqësi”.

“Kjo është dëshmi për faktin se nuk kemi aspirata territoriale ndaj fqinjit tonë, Nga ana tjetër ata e kanë treguar vullnetin e tyre të mirë të na mundësojnë ta rrisim bashkëpunimin tonë me Bashkimin Evropian dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare”, tha Zaev.

Cipras deklaroi se në shenjë të vullnetit të mirë Greqia do t’i zhbllokojë proceset të cilat kanë të bëjnë me mundësitë për progresin e Maqedonisë në eurointegrime. I theksoi ratifikimin në fazën e dytë të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim në Parlamentin grek, hapjen e mundësisë për anëtarësimin e Maqedonisë në nismën e Adriatikut-Jonit për bashkëpunim dhe hapjen e vendkalimit kufitar në Prespë.

Emër i përbërë erga omnes dhe ballafaqim me irredentizmin në të gjitha format, kërkoi Cipras nga Zaevi në Davos. Kryeministri grek përsëriti se për perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë nevojitet së pari të mbyllet problemi me emrin edhe atë në tërësi.

Negociatat për emrin, megjithatë, ngrihen në nivel të lartë dhe në procesin e mëtejmë do të marrin pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxijas.

Ndërkohë, ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara mes Maqedonisë dhe Greqisë për kontestin me emrin, Methju Nimic, përmes një komunikate zyrtarisht i konfirmoi vizitat në Athinë dhe Shkup.

“Me ftesë të qeverive të Greqisë dhe IRJM-së, i dërguari special i sekretarit të përgjithshëm të KB-së, Methju Nimic do të qëndrojë në Athinë dhe Shkup në periudhën nga 29 janari deri më 1 shkurt”, thuhet në kumtesë.

Në raundin e fundit të bisedimeve për emrin që u mbajt më 17 janar në Nju-Jork, ndërmjetësuesi Nimic doli me një sërë sugjerimesh dhe propozimesh dhe vlerësoi se në horizont është zgjidhja e kontestit shumëvjeçar midis Greqisë dhe Maqedonisë.

Pas takimit të parë të drejtpërdrejt të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras në Davos, është paralajmëruar koordinimi i kreut shtetëror dhe politik të Maqedonisë të shtunën në Klubin e deputetëve në Shkup. Në takimin të cilin është nismë e MPJ-së do të marrin pjesë edhe presidenti Gjorge Ivanov dhe lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare.