Zaev-Ciprasin: Marrëveshja e Prespës e ndryshoi realitetin mes të dyja vendeve 

Marrëveshja e Prespës e meriton mbështetjen e plotë nga të dyja vendet, theksuan në takimin e sotëm, kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe ish kryeministri i Greqisë Aleksis Cipras, i cili po qëndron në vendin tonë me ftesë të magazinës me renome “Ekonomist” si një nga folësit kryesorë në Samitin e Ballkanit Perëndimor – “Përforcimi i momentumit të integrimeve evropiane” që do të mbahet nesër në Shkup.

Siç bëri të ditur pres-shërbimi qeveritar, në takimin e mbajtur në atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, të dy bashkëbiseduesit biseduan për përfitimet nga Marrëveshja e Prespës.

“Zgjidhja e arritur me marrëveshjen e nënshkruar në Prespë e ndryshoi realitetin mes të dyja vendeve dhe krijoi dinamikë të re, pozitive në marrëdhëniet mes vendeve të rajonit”, përfunduan kryeministri Zaev dhe ish kryeministri grek Cipras.

Përgjatë bisedës, shtohet, ishte konstatuar se që nga 17 qershori i vitit të kaluar bashkëpunimi mes të dyja vendeve po thellohet, pasi ishte vendosur në themelet e marrëveshjes për miqësi të re dhe partneritet strategjik.

Në takim Zaev dhe Cipras, theksohet, konstatuan numër më të madh të përfitimeve siç është këmbimi i rritur tregtar për 20 për qind për vetëm një vit, procedurat e ngritura për vendkalime të reja kufitare mes dy vendeve, bashkëpunimi i ngushtë në sferën e mbrojtjes si pjesë e politikave të përbashkëta që rrjedhin nga NATO-ja në pjesën e kontrollit të sigurimit në qiellin e Maqedonisë së Veriut (Air Policing) si dhe përforcimi i bashkëpunimit në shumë sfera të tjera.

“Në takimin në kabinetin e kryeministrit Zaev së bashku u përshëndet anëtarësimi i afërt i plotfuqishëm i vendit tonë në NATO, faza përfundimtare e të cilit – ratifikimi i Protokollit për inkuadrim, filloi pikërisht në parlamentin e Republikës së Greqisë”, theksohet në kumtesë.

Dy bashkëbiseduesit në takim e përshëndetën mbështetjen e fuqishme për fillimin e negociatave midis vendit tonë dhe BE-së, për të cilin vlerësuan se vjen jo vetëm si rezultat i Marrëveshjes së Prespës dhe efekteve pozitive të zgjidhjes së kontestit bilateral midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, por edhe për shkak të realizimit të reformave vendore, qëndron në kumtesë.