Zaev beson se ministrat e rinj do t’i vazhdojnë politikat të cilat japin rezultate


Kryeministri Zoran Zaev në fillim të mbledhjes së sotme, në rend dite të së cilës është zgjedhja e ministrave të rinj, shprehi bindje se ministrat e propozuar do t’i vazhdojnë politikat e suksesshme në fushën e bujqësisë, kulturës, mjedisit jetësor dhe në Ministrinë e re, për sistem politik.

Duke folur për biografitë e ministrave të rinj, kryeministri Zaev shfaqi shpresë se Trajan Dimkovski me njohuritë dhe përvojën e deritanishme do t’i vazhdojë politikat e filluara në sektorin bujqësor të cilat japin rezultate me qëllim që të krijohet bujqësi më konkurruese dhe më produktive.

Për ministrin e ri të Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski tha se ai me përvojën e vet do të kontribuojë në pjesën e decentralizimit të pushtetit, ndërsa për ministrin e Kulturës, Hysni Ismaili tha se edhe pse është mjek, megjithatë është aktivist shoqëror në fushën e kulturës i cili do t’i vërejë të gjitha dobësitë që vetë sistemi i ka treguar deri më tani. Në pjesën e ekologjisë, Zaev shfaqi bindje se ministri i ri do të vazhdojë me luftën kundër ndotjes së ajrit dhe rregullimin e çështjes së deponive.

Lidhur me Ministrinë e re për sistem politik dhe emërimin e Sadulla Durakit për njeri të parë të kësaj ministrie, Zaev tha se beson që Duraki do ta marrë seriozisht përgjegjësinë për ndërtim të një shoqërie për të gjithë, në të cilën nuk do të ketë ndarje në maqedonas, shqiptarë, turq…

Në fjalimin e tij, Zaev iu falënderua ministrave të deritanishëm dhe shfaqi shpresë se do të vazhdojë bashkëpunimi me ta edhe në të ardhmen.

Opozita sërish i kritikoi propozimet për ministra të rinj dhe edhe njëherë kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare. Akuzuan se politikat ekonomike nuk po japin rezultate, se nuk janë ndërmarrë masa kundër ndotjes së ajrit dhe se ekziston apati tek të rinjtë në shtet.