Zaev: Amendamentet duhet të përfundojnë në gjysmën e dytë të janarit


Kryeministri Zoran Zaev pret që të respektohen të gjitha afatet për procesin për sjellje të amendamenteve kushtetuese, që janë obligim në pajtim me Marrëveshjen e Prespës.

“Afatet e rregullores janë qartë të përcaktuara. Nëse ne më 5 nëntor në seancë të Qeverisë i miratojmë draft-amendamentet dhe i dërgojmë deri tek Kuvendi, për 30 ditë duhet të caktohet seanca. Seanca do të caktohet në kuadër të 30 ditëve, në pajtim me Rregulloren, dhe do të hapet debati në Komisionin kushtetues dhe Komisionin juridiko-ligjdhënës. Gjithsesi se afatet kështu të konfirmuara janë qartë të precizuara në Rregullore dhe në kuadër të këtyre afateve zhvillohen  të gjitha diskutimet, madje për këtë arsye edhe lejojmë që të projektojmë data për gjysmën e dytë të janarit”, tha Zaev në pyetjen e gazetarëve pas fjalimit në simpoziumin e think tankëve nga Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Ai konsideron se dje kanë pasur takim  cilësor pune me deputetët nga grupi i ri i deputetëve i VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni, në të cilin kanë marrë sugjerime konkrete, që beson se do të futen në vetë tekstet.

“Do t’i konsultojmë edhe një herë për atë që sugjerojnë, ta shohin të futur në tekst, se si ajo duket, dhe nëse e japin pëlqimin vazhdojmë me hapat e ardhshëm”, tha Zaev.

Shtoi se për procesin me ndryshimet kushtetuese është konsultuar edhe pala greke.

“E dini se është konsultuar edhe pala greke. Ky nuk është obligim nga Marrëveshja, por në frymën e partneritetit dhe miqësisë është radha që të prezantojmë çka Parlamenti i Maqedonisë do të vendosë në periudhën që vjen, sepse është draft-fazë dhe gjatë debatit për vetë amendamentet kushtetuese mund të plotësohen me amendamente. Do të thotë, në debatin publik dhe në versionin përfundimtar të amendamenteve që do të vijnë, Besoj se deri të premten do të mbërrijmë me të gjithë konsultimet e domosdoshme”, theksoi kryeministri Zaev.

Tha se është në komunikim të rregullt me kryeministrin grek Cipras dhe se të dy nuk presin prolongim të procesit, për shkak se, thotë, as ata, as ne, nuk kemi dobi nga kjo. Sa më shpejtë përfundohen obligimet në parlament tek ne dhe tek ata aq më shpejtë lihet hapësirë për qytetarët që t’i shohin beneficionet nga Marrëveshja.

Ai deklaroi se nuk beson se do të ndodhë bllokim nga ana e opozitës në procesin në Kuvend se thotë nuk ka nevojë për këtë.

“Nuk ka nevojë për atë edhe pse ka spekulime të caktuara për këtë punë. Unë personalisht nuk besoj se kjo do të ndodhë sepse nuk e shoh përshtatshmërinë e vetë bllokimit për shkak të afateve të rregullores qartë të precizuara që ekzistojnë në procedurë të tillë”, tha Zaev.

I pyetur lidhur me atë nëse do të shqyrtohen propozimet e Lëvizjes BESA.

“Unë i kuptoj nevojat e njerëzve për të hapur debat, të japin propozime veçanërisht për kreativitetin e opozitës dhe ngjashëm, por në fund e di se askush nuk ka të drejtë të bëjë çfarëdo kushtëzimi të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Me siguri nuk do të lejojmë hapjen e Kutisë së Pandorës. Këtë e dinë të gjithë, ndërsa është radha edhe unë ta konfirmoj. Parlamenti është ai që vendos përfundimisht. Ne jemi vetëm propozues. Por, në kuadër të të gjitha këtyre gjërave unë gjithmonë qëndroj në dispozicion për të ndërtuar një shoqëri për të gjithë për të cilën angazhohemi të gjithë dhe jo të tentojmë në mënyrë tjetër kur sillen vendime të mëdha pas së cilave qëndrojmë të gjithë, të cilat janë përcaktimet tona programore, si parti politike të përfaqësuara në Parlament dhe përcaktime strategjike si shtet të rrezikohen në vetë procesin e vendimmarrjes”, tha Zaev.

Ai shprehu bindjen se në procesin e pajtimit do të bashkohen të gjithë deputetët e opozitës, se thotë se kjo është mirë për Maqedoninë.

“Numri prej 80 deputetë nuk është i mjaftueshëm, jo se Zaev këtë e dëshiron. E dinë edhe ata se ky është moment historik për Maqedoninë. Duhet t’i sjellim bashkërisht vendimet dhe t’i përvjelim krahët të punojmë në ekonomi, reformat për një jetë më të mirë të qytetarëve”, tha Zaev.

Duke e komentuar deklaratën e  djeshme të zëvendëskryeministrit Osmani se një pjesë e atyre të cilët kanë qenë të përfshirë në ngjarjet e 27 prillit mbase kanë qenë dëm kolateral dhe se nuk përjashtohet mundësia për ta të ketë amnisti, shefi i Qeverisë nënvizoi se angazhohet për proces të pajtimit.

“Secili mund ta ketë aspektin e tij, ne jemi qeveri demokratike. Unë e respektoj mënyrën e shqyrtimit, përkushtimit që të arrihet caku përfundimtar, ndërsa ky është njëlloj bashkimi interetnik dhe intraetnik që na duhet në Maqedoni. Unë flas për pajtim, nuk flas për amnisti. Faljen, si proces do ta shihni përmes një trupi koordinues në Kuvend ku do të punojë në pajtimin e përgjithshëm të tanishëm, por edhe në perspektivat të cilat hapen para Maqedonisë. Siç sillen vendimet ne atë do ta kumtojmë në opinion, por një e di – ngjarjet e 27 prillit janë mundësi e shkëlqyer që ta ndërtojmë atë pajtim. Ka shumë modalitete të bukura dhe demokratike se si bëhet ajo, por përmes sistemit, përmes këtij trupi koordinues, duhet pikërisht atë ta bëjmë. Ky është vetëm një segment i vogël pasi që është mirë se fillon nga Parlamenti si kulmi i demokracisë dhe institucionit më të lartë në RM që të mund ta presim dhe sipas vertikales poshtë deri tek komunat, madje edhe deri tek qeliza e fundit e shoqërisë tonë, ndërsa ajo është familja”, tha Zaev.

Për pyetjen për përfshirjen e Marrëveshjes së Ohrit në preambulën e Kushtetutës ai tha se kjo nuk është çështje e përcaktuar dhe se do të bisedohet ose është duke u biseduar në nivel nënkryetarësh.

“E dini se isha i përkushtuar në bisedimet me deputetët e grupit të ri të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe partnerëve të koalicionit Për një Maqedoni më të mirë që të mund ta bëjmë procesin inkluziv të cilin e premtuan gjatë bisedimeve të cilat dolën si rezultat i qëllimit final – votimit për hapjen e nevojës për amendamente kushtetuese. Marrëveshja e Ohrit është pjesë përbërëse e Kushtetutës së RM-së. Ajo veç më është vendosur pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Dua të dërgoj mesazh se inkluzioni në proces është i rëndësishëm, por nuk guxojmë me ambiciet tona ta ndalojmë gjithë procesin dhe ta minimizojmë kohën e nevojshme për sjelljen e të gjitha hapave të nevojshme të cilat janë projektuar diku nga mesi apo nga gjysma e dytë e janarit. Do të bisedojmë për të gjitha detajet. Për mua është shumë e rëndësishme fillimisht ta plotësojmë marrëveshjen. Kjo është esenca e ndryshimeve kushtetuese, ndërsa në kuadër të kësaj esence tani e shoh se kemi një mënyrë mjaft të kujdesshme të propozimit të plotësimit të amendamenteve kushtetuese të cilat do ta garantojnë identitetin, nevojën e verifikimit apo ratifikimit të marrëveshjes nga pala greke, si edhe zbatimin e brendshëm që gjithçka është në frymën e marrëveshjes. Deputetët gjithsej 80 të cilët e dhanë votën e tyre që të hapen ndryshimet kushtetuese janë të rëndësishëm. Gjithsesi me ta do të bisedojmë edhe nëse kjo është e pranueshme për të gjithë do t’i vazhdojmë proceset duke përfshirë edhe për deklaratat e tilla të cilat i dëgjova prej mediave”, tha Zaev.

/MIA/