Xhon Mekejn, modeli që duhet të ndiqet


Shkruan: Robert Nesimi

Në moshë 81-vjeçare javën e kaluar ndërroi jetë senatori i njohur republikan Xhon Mekejn (origjinal anglisht: John McCain). Pati jetë dhe karrierë që u karakterizuan me ndershmëri, guxim, gatishmëri për të folur drejtë, për t’u përballur me autoritetet – që i dha nofkën “Rebeli”, si dhe gatishmëri për kompromis me kundërshtarët politikë, duke tejkaluar barrierat partiake. Jorastësisht vdekja e tij u prit me pikëllim të thellë nga i gjithë spektri politik, me përjashtim të krahëve ekstremë të të dy anëve, përfshi dhe partinë e tij. Por mu për këtë shkak botës së sotme të polarizuar i duhet lloji i politikanit siç ishte Xhon Mekejn dhe pikërisht për këtë ai duhet të jetë model që duhet të ndiqet nga çdo politikan nëse demokracia do të mbijetojë. Mbi të gjitha për të flet jeta e tij, posaçërisht ca momente kyçe që e bënë atë politikan siç ishte, e përshkruar më së miri në fjalët e Presidentit Obama: “pak prej nesh janë sprovuar ashtu siç u sprovua Xhoni, apo na është kërkuar guxim siç ju kërkua atij”.

Xhon Mekejn u lind në familje oficerësh të marinës amerikane, andaj nuk është e rastit që edhe ai ju bashkangjit marinës qysh si i ri. Gjatë shërbimit në Vietnam ia qëlluan aeroplanin dhe e kapën rob. Kur kuptuan se është bir i admiralit të flotës vietnamezët i ofruan t’a lirojnë në shenjë vullneti të mirë, por Mekejn refuzoi përderisa bashkë me të nuk liroheshin edhe robët e tjerë të luftës. Më pas kaloi pesë vite në robëri, ku u maltretua saqë gjithë jetën nuk mundi t’i ngrejë më krahët mbi kokë. Mirëpo 20 vite më vonë, kur veçmë ishte senator, ai udhëhoqi tentativat për të normalizuar marrëdhëniet e SHBA me Vietnamin, së bashku me një veteran tjetër të luftës, senatorin demokrat Xhon Kerri. Saga e tij e Vietnamit shfaq kualitetet më të mira të Mekejnit: sakrificën për të tjerët, aftësinë për të lënë të kaluarën pas vetes dhe për të punuar bashkërisht me politikanë të partisë tjetër.

Në vitin 1982 zgjidhet për herë të parë në Kongres si përfaqësues i shtetit Arizona dhe shpejtë dëshmon se do të mendojë dhe vendosë ashtu siç din vetë, pasi në disa raste del kundër Reganit dhe partisë së tij republikane. Në vitin 1986 zgjidhet në Senat, duke pasuar një figurë tjetër legjendare republikane nga Arizona, senatorin Beri Golduater. Së shpejti përfshihet në një skandal për financimin e kampanjës, bashkë me katër senatorë tjerë. Megjithatë Komisioni për Etikë nuk i gjen ndonjë faj, përveç konkluzës se kishte bërë vlerësim të gabuar. Por në mënyrë tipike për të, Mekejn nxjerr konkluzat e duhura nga rasti dhe përballet direkt me të. Bashkë me senatorin demokrat Fejngold më vonë përgatit dhe kalon legjislacion për të reformuar mënyrën e financimit të fushatave. Një tjetër shembull ky i aftësisë së tij për të lënë pas të kaluarën dhe të bashkëpunojë përtej barrierave politike për atë që besonte se është e drejtë.

Më vonë Mekejn u kandidua dy herë për President. Në vitin 2000 garoi brenda partisë republikane, por u mund nga Presidenti i ardhshëm Bush. Tetë vite më vonë Mekejn fitoi nominimin e partisë, por në një vit të mbrapshtë për republikanët humbi nga Presidenti Obama. Një episodë gjatë fushatës së atëhershme më së miri tregon botëkuptimin e Mekejn për shërbimin publik dhe sensin e tij për mirësjellje. Duke ju përgjigjur një përkrahëse e cila tha se ka frikë nga Obama sepse ai është njeri i keq dhe nuk është amerikan, Mekejn tha: “Jo zonjë. Ai është njeri i ndershëm familjar dhe qytetar me të cilin kemi bindje të ndryshme për disa çështje dhe kjo fushatë bëhet për këtë”. Edhe në vlugun e garës dhe fushatës presidenciale Mekejn ruajti mirësjelljen gjatë diskursit publik, diçka që duhet të presim dhe kërkojmë nga çdo politikan.

Ndryshe nga raportet e tij me Bushin dhe Obamën, Mekejn pati raporte armiqësore me Presidentin Tramp, natyrisht jo me faj të tij. Gjatë fushatës së tij presidenciale Tramp deklaroi se Mekejn nuk është hero, sepse ishte zënë rob. Mekejn kurrë nuk ju përgjigj, por në stilin e tij të përplasjes me autoritetet ai mbeti halë në sy për Trampin në Senat. Mekejn në vazhdimësi e qortoi Trampin për politikën e tij të jashtme, sidomos për raportet me Rusinë. Mekejn poashtu ishte vota vendimtare që shpëtoi Obamakerin duke votuar kundër partisë së tij. Vitin e kaluar mbajti fjalim mbresëlënës që ilustron më së miri vizionin e tij se si duhet bërë politika, mes tjerash duke thënë: “Vetëm t’a pengosh kundërshtarin tënd politik që të mos bëjë atë që mendon se është e drejtë nuk është ndonjë punë inspiruese”.

Mekejn gjeti mënyrë për të dërguar mesazhe pajtimi dhe njëkohësisht rebelimi ndaj autoriteteve edhe pas vdekjes. Ai nuk deshi që Presidenti Tramp të jetë prezent gjatë funeralit të tij, ndërsa nga ish-Presidentët Bush dhe Obama kishte kërkuar të mbajnë fjalime. Kjo është tejet simbolike për mënyrën si e jetoi jetën Mekejn. Dy ish-Presidentë, njëri republikan dhe tjetri demokrat, dhe pikërisht ata dy që e mposhtën në garën presidenciale. Mesazh i fuqishëm se Mekejn nuk mbante mëri, shihte përtej vijave partiake dhe vlerësonte mirësjelljen në shërbimin publik, sidomos tek njerëzit që i prenë rrugën për postin më të lartë në SHBA.

Trishtuese për botën e sotme është se Mekejn gjithnjë e më tepër duket si politikan i një epoke të kaluar. Politika është bërë e polarizuar dhe duket se çdokund po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të gjetur të përbashkëtën për hir të interesave më të mëdha. Mu për këtë Mekejn është model politikani që duhet të kopjohet, tani dhe në të ardhmen. Jeta e tij është përplot leksione se si duhet të jetë dhe si duhet të sillet një shërbyes publik.