Xherdan Shaqiri në Romë ose Totenhem?


Xherdan Shaqiri, ka konfirmuar se tashmë është e qartë dhe jo fshehtësi se ai do të largohet nga skuadra e Stoke City, pas rënies së klubit nga Premierliga.

I pyetur për të ardhmen në një intervistë për gazetën e përditshme zvicerane “20 Minuten”, Shaqiri ka thënë: “Nuk është më fshehtësi, të gjithë e dinë se do të largohem”, transmeton Gazeta Express.

Në 84 ndeshje në Premierligë për Stoke, Shaqiri i ka shënuar 15 gola dhe ka dhuruar 15 asiste, po ashtu.

Shaqiri ishte lojtari më i mirë i Stoke me 8 gola dhe 7 asiste këtë sezon në Premierligë, por nuk mundi t’i ndihmojë dot të qëndrojë në ligën elitare të futbollit anglez.

Ai ka thënë se i vëllai dhe përfaqësuesit e tij do të kujdesen për gjithçka sa i përket të ardhmes së tij.

“Ende gjithçka është e hapur. I besoj vëllait tim dhe këshilltarëve të mi për këtë çështje. Ata do të përkujdesen për gjithçka. Jam i qetë sepse do të më informojnë me kohë”, shtoi ai.

I pyetur rreth thashethemeve se Tottenham dhe Roma e kërkojnë, kosovari ka thënë: “Ta themi kështu: nuk përjashtoj asgjë. Por, do të doja të qëndroja në Angli. Premierligë më përshtatet. Pse? Sepse është liga më e mirë me lojtarët më të mirë. E thjeshtë është!”.