Bajrami: Kthimi i VMRO-DPMNE-së në Kuvend hap pozitiv, presim që t’i votojë reformat urgjente


Në mbledhjen e mbrëmshme të Komitetit ekzekutiv dhe qendror të VMRO-DPMNE-së u vendos që ata të ndërpresin bojkotin dhe të kthehen në Kuvend. VMRO-DPMNE kthimin në Kuvend e ka kushtëzuar me disa kërkesa politike, para se gjithash me vendosjen në rend dite si pikë të parë të Kuvendit, votëbesimin e Qeverisë.

Mickovski ka theksuar se votëbesimi i Qeverisë do të vototohet brenda tre ditëve nga dorëzimi i interpelancës. Ai paralajmëron se do të jenë shumë aktiv dhe do të kontrollojnë çdo lëvizje të Qeverisë Zaev.

“Hapi i parë i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së do të jetë nisma për votimin e mosbesimit të Qeverisë, pasi nga ajo që kemi parë deri më tani bëhet fjalë për Qeveri me humbje të kredibilitetit, Qeveri e cila nuk punon për qytetarët dhe që po e fut vendin në humnerë. Deputetët e VMRO-së në detaje do të argumentojnë këtë qëndrim lidhur me Qeverinë arrogante dhe anti-shtetërore që duhet të shkojë sa më parë. Sa më shpejt aq më mirë për shtetin. Kjo Qeveri do të mbetet në kujtesë si Qeveria më e paaftë që nga pavarësia e Maqedonisë”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

E rikthimin e VMRO-DPMNE-së në Kuvend, ish ministri, Xhelil Bajrami e  vlerëson si hap normal dhe të domosdoshëm, sepse sipas tij opozita ka rëndësinë e saj në Kuvend.

“Presim qe VMRO-DPMNE tani të ketë një rol sa me konstruktiv, përsa u përket sfidave të brendshme, me të cilat ballafaqohet vendi. Unë personalisht, uroj që kjo forcë politike të nxjerrë sa më shumë mësime nga gabimet që ka bërë, kryesisht në raport me shqiptarët dhe të ketë një retorikë të pajtimit dhe bashkëpunimit, sepse e ardhmja nuk mund të jetë duke perjashtuar ata që janë faktor i shtetformimit dhe stabilitetit të vendit. Fryma europianiste e demokracisë popullore, sapo ka nisur në VMRO-DPMNE dhe kjo duhet çuar më tej me reformat e brendshme dhe kontributin demokratik në institucionet e vendit”, theksoi Bajrami.

Sipas ish ministrit, Xhelil Bajrami në Maqedoni duhet vendosur standard demokratik ne trajtimin e çështjeve të ndjeshne të respektimit të gjuhës, kulturës, identitetit dhe vlerave të çdo qytetari, pavarësisht etnisë, fesë dhe bindjeve ideologjike./Nezavisen

Përgatiti: Armend Murseli