Xhaferi: “Të gjithë jemi fëmijë të Ilindenit” është koncept i vlerave të përbashkëta të cilat i festojmë


Sot i shënojmë dy Ilindenët, 1903-ta – 116 vjetori i Republikës së Krushevës dhe 1944-ta, 75 – vjetori i Mbledhjes së KAÇKM, dy shtyllat mbi të cilat themelohet edhe shtetformimi i shtetit dhe mendoj se slogani që u përcaktua në mbledhjen e Këshillit Organizativ në Qeveri në koordinim me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me Presidentin e Republikës, nuk mundej të jetë më i përshtatshëm dhe më i qëlluar, tha kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në fjalimin e tij me rastin e Ditës së Republikës në Pelnicë.

Kemi, theksoi ai, një shtet të përbashkët dhe të gjithë jemi përgjegjës që ta ruajmë dhe zhvillojmë, për ne dhe për gjeneratat e ardhshme.

“Ky është borxhi ynë ndaj të gjithëve të cilët luftuan për shtet të tillë, shoqëri të të gjithë qytetarëve”, tha Xhaferi.

“Të gjithë jemi fëmijët e Ilindenit”, është koncept i vërtetë i cili i përshkruan vlerat e përbashkëta që i kremtojmë të gjithë, i festojmë, janë vlera që na bashkojnë dhe ndërlidhin, na bëjnë qytetarë krenarë dhe të bashkuar të shtetit tonë të përbashkët, tha Talat Xhaferi në fjalimin e tij me rastin e Ditës së Republikës në Pelincë. Shteti ynë është bashkim i dallimeve, mozaik unik në të cilin çdo pjesë unike është rritur dhe zhvilluar mbi rrënjët e veta që kanë qenë dhe janë vërtetim i jetëgjatësisë dhe qëndrueshmërisë së popujve që kanë jetuar dhe kanë qenë pjesë e këtij territori.

“Njëzetetetë vite të plota shtet i pavarur, sovran, i lirë. Çdo vit me sfida të reja, me shumë vështirësi dhe kriza të reja. Nuk ishte lehtë, por përsëri, të gjithë bashkë arritëm ti tejkalojmë dhe të ecim përpara kah realizimi i qëllimeve tona strategjike. Rrugëtimi jonë nuk shkonte gjithmonë paralelisht me ambiciet dhe dëshirat tona. Gjithsesi se rolin kryesor e kishin dhe çdoherë e kanë atë në duart e të cilëve është besuar shteti, përparimi dhe zhvillimi i saj, mbrojtja dhe siguria e saj. Me këtë rast mendoj për të gjithë, edhe pushtetin edhe opozitën, për arsye se të gjithë kanë fituar një pjesë të legjitimitetit dhe kuptohet të përgjegjësisë që e jep sovrani më i lartë – populli”, tha Xhaferi.

Theksoi se prej nesh, prej vizionit dhe mençurisë sonë varet se sa do e arsyetojmë këtë besim të çmuar, sa do i përmbushim premtimet dhe zotimet e dhëna para tyre.

“Të gjithë ne jemi njëlloj përgjegjës edhe për ngritjen edhe për ngecjen në atë rrugë. Edhe pse filluam me shumë ambicie, me sytë e bashkësisë ndërkombëtare drejtuar kah ne si kah vendi i cili ndër të parët në rajon fitoi statusin e kandidatit, procesi akoma nuk është rrumbullakuar dhe për një dekadë të tërë vendnumëronim”, shtoi Xhaferi.

Ai theksoi se dy vitet e gjysmë të kaluara janë ndoshta vitet më të nxehta në historinë e vendit, me ç’rast sigurisht nuk mendon për kushtet klimatike.

“Kjo ishte periudhë e marrjes së vendimeve të rënda mirëpo vendimeve shtetërore të cilat e debllokuan rrugën tonë kah integrimi euroatlantik dhe në të cilën politikisht maturuan edhe qytetarët edhe shteti; u kthyem në binarin e shpejtë të integrimit euroatlantik dhe iu përkushtuam vendosjes dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mia fqinjësore; kishim diplomaci intensive dhe participim aktiv të institucioneve të shtetit në evenimentet ndërkombëtare rajonale dhe botërore; merrnim pjesë aktive dhe vazhdojmë të marrim pjesë në misionet paqësore të Aleancës së NATO-s me ç’rast përfaqësuesit tonë janë krah për krah me përfaqësuesit e vendeve anëtare të plotfuqishme dhe ndër tjerat kontribuojmë edhe në rrënimin e paragjykimeve dhe stereotipave të tipit Ballkani “fuçi baruti”, tha Xhaferi.

Shtoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO, nënkupton sundimin e së drejtës dhe rendit juridik në shtet pa diskriminim, respektimin e të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve njëlloj, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, fetare, racore, partiake dhe gjinore.

Anëtarësimi, siç tha Xhaferi, do të nënkuptojë standarde evropiane për jetë dinjitoze, kushte konkurruese për punë dhe biznes, mundësi për arsim cilësor deh hulumtime shkencore për të rinjtë entuziastë dhe profesionistët e pjekur.