Xhaferi nuk konfirmon fuqizimin e Ligjit për Gjuhët

Kreu i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi nuk konfirmon fuqizimin e ligjit të gjuhëve në gazetën zyrtare brenda kësaj jave, ashtu siç bëri të ditur një ditë më parë zëvendëskryeministri Bujar Osmani.

Alsat-M shkruan se edhe pse kanë tentuar, nuk kanë arritur të sigurojnë një sqarim nga kabineti i kreut të Kuvendit Talat Xhaferi sa i takon fuqizimit të ligjit për gjuhët. Jo zyrtarisht mësohet se qëndrimi i Xhaferit nuk është akoma i prerë nëse do ta dërgojë ose jo brenda javës për publikim në Gazetën Zyrtare ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Xhaferi në vazhdimësi kishte paralajmëruar publikimin në Gazetën Zyrtare të ligjit për gjuhët dhe ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë, edhe pse presidenti Gjorgje Ivanov ka refuzuar t’i dekretojë.

“Unë ju kam thënë që unë nuk vuaj nga afatet për faktin që nuk jam i ngushtuar nga afatet dhe është çështje e vlerësimit tim se kur është momenti për me e nënshkruar dhe me dërguar ligjin për gjuhët së bashku me ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë në Gazetën zyrtare”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Ligji për gjuhët u miratua më 11 janar të vitit të kaluar në situatë të tensionuar mes deputetëve.

Pas votimit në lexim të dytë me 69 vota për, Ivanovi nuk e dekretoi me arsyetimin se i ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se është sjellë në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

Sipas procedurës, ligji u kthye për rivotim në institucionin ligjvënës. Në lexim të tretë, ai përsëri mori miratimin e shumicës së deputetëve. Pavarësisht kësaj, Gjorgje Ivanov ka vazhduar të mos e nënshkruajë Ligjin për përdorimin e gjuhëve.