Xhaferi i dorëzoi kërkesat për paraburgim të deputetëve deri te Komisioni dikasterial

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sonte i dorëzoi te Komisioni për çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit kërkesat për aprovimin e paraburgimit të deputetëve.

Nga Kuvendi i RM-së kumtuan se në përputhje me nenin 53, paragrafi 5 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, kryetari i Kuvendit Xhaferi i dorëzoi te Komisioni për çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit kërkesat për aprovimin e paraburgimit të deputetëve Kërsto Mukoski, Ljuben Arnaudov, Johan Tarçullovski, Sasho Vasilevski, Ljupço Dimovski dhe Zhaklina Peshevska, të parashtruara nga Gjykata Themelore Shkup I Shkup, Seksioni për krim të organizuar dhe korrupsion IV KOK.PP. nr.384/17 prej më 28 nëntorit të vitit 2017.

Para vendimit për dorëzim të kërkesës deri te Komisioni, kryetari i Kuvendit Xhaferi realizoi takim me kryeministrin Zoran Zaev dhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Komisioni për çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit do të mbahet nesër në ora 12, konfirmoi për MIA-n kryetari i Komisionit, Pavle Bogoevski.