Xhaferi: Gjykata do të jetë përgjegjëse për arratinë eventuale të Veljanoskit


Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi thotë se në Parlament nuk kishte kushte që të votohet për marrjen e imunitetit të deputetit dhe ish kryetarit të Kuvendit Trajko Veljanoski, sepse paraprakisht nuk ishte sjellë përfundim i Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit. Për këtë, tha Xhaferi, dje e kishte njoftuar Gjykatën Penale.

Sipas Xhaferit, Kuvendi nuk kishte përfundim në bazë të së cilit do të votohej, sepse në Komision raporti i votave “për” dhe “kundër” marrjes së imunitetit ishin 4:4 që, siç theksoi, nënkupton se nuk kishte përfundim as “për” e as “kundër” marrjes së imunitetit.

Thotë se e kishte marrë raportin e Komisionit, por pa përfundim. Në bazë të raportit, ai ishte i detyruar që të caktojë seancë edhe pse pas pikës nuk kishte përfundim të  Komisionit adekuat.

Kuvendi, siç potencon Xhaferi në takimin e sotëm me gazetarët, nuk e sjellë vendimin me kërkesë të gjykatës, por në bazë të përfundimit të Komisionit, ndërsa të tillë në këtë rast nuk kishim. Që të mos ndodh kjo në të kaluarën, ai vlerëson se me ndryshimet e Rregullores duhet të parashihet zgjidhje se si të veprojë Kuvendi në rast kur nuk ka përfundim të Komisionit.

Për deklaratën e prokurores Villma Ruskoska se Kuvendi do të jetë përgjegjës për arratinë eventuale të Veljanoskit dhe Lupço Dimovskit, të cilit gjithashtu nuk i është marrë imuniteti, Xhaferi thotë se është dhënë për qëllime mediatike. Për këtë, potencon ai, përgjegjëse do të jenë gjykatat, sepse ato duhet ta sigurojnë praninë e të akuzuarve. E imja, tha Xhaferi, është që të mbaj llogari për punën e Kuvendit dhe kjo të bëhet në bazë të procedurave.

Në lidhje me seancën në të cilën duhej të sillej vendim për marrjen e imunitetit të deputetit Lupço Dimovski, Xhaferi theksoi se e kishte ndërprerë sepse edhe pse në sallë kishte 61 deputetë për kuorum, nuk kishte shumicë prej 61 votave për votimin e vendimit.