Vrasja e Oliver Ivanoviqit, top lajm edhe në mediat botërore (Foto)

Një politikan kryesor serb është qëlluar për vdekje në Kosovë. Të armatosurit hapën zjarr ndaj Oliver Ivanoviqit duke e qëlluar atë pesë herë përpara zyrave të Partisë së tij të Iniciativës Qytetare në rajonin e Mitrovicës së veriut këtë mëngjes.

Kështu e fillon shkrimin njëri nga mediumet e njohura botërore, Daily Mail, duke raportuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Siç vazhdon ky medium, përcjell Telegrafi, doktorët luftuan për të shpëtuar jetën e 64-vjeçarit, njërit nga politikanëve kryesorë të rajonit të dominuar nga serbët, por ai u shpall i vdekur rreth orës 9:30 të mëngjesit.

“Një gjykatë e Kosovës e dënoi Ivanoviçin për krime lufte gjatë luftës së 1998-99. Ky vendim u përmbys dhe një rigjykim ishte duke u zhvilluar”, rikujton më tej ky medium.

Sulmi në fjalë, paralajmëron ky medium, ka të ngjarë të rrisë tensionet etnike në Kosovë, e cila shpalli pavarësinë në 2008.

Gjithashtu rreth sulmit ka shkruar edhe rrjeti i njohur televiziv, BBC.

Sipas këtij mediumi, politikani prominent serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq është qëlluar jashtë zyrës së partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Siç shkruan ndër tjerash ky medium, ai kryesoi një parti serbe të quajtur Liria, Demokracia dhe Drejtësia. /Telegrafi/