Vozitësi nuk ka qenë i dehur, autobusi është dërguar për ekspertizë
Prokurori kompetent publik nga Prokuroria themelore publike Shkup, së bashku me ekipe të ekspertizës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sot në orën 13:15 e kreu ekspertizën në vendin e ngjarjes së fatkeqësisë së rëndë që ndodhi dje në drejtimin rrugor Shkup – Tetovë, në të cilën 14 persona e humbën jetën, ndërsa shumë të tjerë janë të lënduar.
Nga Prokuroria publike informojnë se po punohet intensivisht në konstatimin e të gjitha hollësive që mund t’i zbulojnë shkaqet e fatkeqësisë. Duke pasur parasysh peshën e vetë ngjarjes dhe vëllimin e veprimeve hetimore që do të ndërmerren në procedurë paraprake gjatë veprimit rreth kësaj lënde është kyçur edhe prokurori i dytë publik nga Prokuroria themelore publike Shkup.
“Autobusi i kompanisë ‘Durmo turs’ që duke i kaluar dy korsitë e rrugës doli nga autostrada dhe u rrokullis në afërsi të rrugës së vjetër, është ngritur nga vendi i fatkeqësisë dhe me urdhër të prokurorit publik ndaj tij do të kryhet ekspertizë e hollësishme teknike nga ana e Fakultetit të makinerisë në Shkup. Për shkak të konstatimit të drejtë të fakteve, sot në vendin e fatkeqësisë ishte i pranishëm edhe ekipi i Fakultetit të makinerisë, i cili i bëri kontrollet e para të gjendjes së automjetit. Nga njohuritë e deritanishme është konstatuar se autobusi është marrë në vitin 2001, ndërsa për herë të fundit ishte regjistruar në janar të këtij viti. Me urdhër të prokurorit publik, Fakulteti i makinerisë do të përgatisë rezultat dhe mendim ekspertize me shkrim”, kumtoi Prokuroria.
Në Institutin për mjekësi gjyqësore, me urdhër të prokurorit publik, është kryer obduksioni i 13 viktimave, përderisa për një person obduksioni është në rrjedhë. Nga ana e ekipeve të ekspertizës të Ministrisë së Punëve të Brendshme pas ekspertizës së kryer, në Prokurorinë themelore publike Shkup do të parashtrohen procesverbalet për ekspertizë, skica, foto dokumentacioni dhe materiale të tjera të siguruara dëshmuese.
“Pas pranimit të këtyre dëshmive, pas parashtrimit të protokolleve të obduksionit, dokumentacionit mjekësor për lëndimet e udhëtarëve të tjerë, raportet për ekspertizat e ardhshme, pas marrjes në pyetje të vozitësit, udhëtarëve në autobus dhe dëshmitarëve okularë të ngjarjes, si dhe pas sigurimit të dokumentacionit të plotë relevant, varësisht nga faktet e konstatuara, prokuroria do të sjellë vendim”, thonë nga Prokuroria.