VMRO: Vetëm LSDM-ja feston për ndryshimin e emrit


Vetëm Zoran Zaevi dhe LSDM-ja mund të festojnë se e kanë ndryshuar emrin e shtetit dhe identitetin. Populli i Maqedonisë është i dëshpëruar për shkak të humbjes së emrit, identitetit, historisë dhe kulturës, ndërsa LSDM-ja në krye me Zaevin festojnë dhe krenohen se i kanë shituar interesat shtetërore dhe kombëtare, thonë nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, duke komentuar ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës nga ana e Parlamentit të Maqedonisë, njofton Koha.

“LSDM-ja dhe Zaev në kundërshtim të vullnetit qartë të shprehur të popullit të Maqedonisë në referendum u nisën në mënyrë të dhunshme për ta zbatuar marrëveshjen kapitulluese të Prespës. Edhe pse nuk morën mandat nga qytetarët për këtë akt të turpshëm ata megjithatë përmes rrugës së kërcënimeve dhe shantazheve kanë bërë pazare me interesat kombëtare dhe shtetërore dhe e ndryshuan emrin kushtetues dhe identitetin e Republikës së Maqedonisë. Zaevi thoshte se nuk ekziston njeri i cili do të guxojë ta ndryshojë emrin dhe se ndryshimi i emrit është një gënjeshtër të VMRO-DPMNE-së. U betua në babain, gjyshin e tij si dhe fëmijët e tij, por pasi erdhi në pushtet, puna e parë dhe e vetme në të cilën u fokusua ishte si ta ndryshojë emrin dhe si ta errësojë shtetin”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Siç thonë në komunikatën e tyre për media, LSDM-ja dhe Zaevi treguan se nuk kanë asnjë lidhje me vlerat evropiane.

“Korrupsioni e arriti zenitin e vet, ekonomia po zhytet, ndërsa qytetarët mbesin gjithnjë e më të varfër, ndërsa funksionarët e pushtetit dhe familjeve të tyre mbesin gjithnjë e më të pasur. Qytetarët janë të vetëdijshëm se ky ishte pushtet për një qëllim dhe pikërisht për këtë nuk do të lejojnë më shumë që shteti të kthehet mbrapa. Pikërisht për këtë janë të nevojshme zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale dhe përfundimisht të përfundojnë këto errësira dhe të këqija të cilat LSDM-ja dhe Zaevi ua shkaktuan shtetit dhe qytetarëve”, theksojnë nga partia e Mickoskit.

Sipas tyre, Zaevi dhe LSDM-ja do ta vuajnë dënimin pikërisht nga qytetarët e Maqedonisë, vendimet e të cilëve tani nuk i respektojnë. VMRO-DPMNE-ja ashpër do ta mposht këtë pushtet kriminel të Zaevit dhe LSDM-së dhe do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj ta korrigjojë padrejtësinë dhe ta kthejë atë që LSDM-ja tani po e shet. Republika e Maqedonisë dhe qytetarët e meritojnë më të mirën