VMRO: Propozim-ligji për gjuhët, të kthehet në parlament nga fillimi


Nga kjo parti insistojnë se propozim-ligji duhet të kthehet në procedurë parlamentare që nga fillimi.
Ata pretendojnë se edhe deklaratat e komisarit, Johanes Han, se ligji nuk është kërkesë e BE-së, flet se ai duhet të sillet me procedurë të rregullt, përfshi edhe debatin publik ku do të përfshiheshin edhe ekspertët.
“VMRO-DPMNE, edhe si pushtet edhe si opozitë tani, gjithnjë ka qenë konstruktive dhe në interes të qytetarëve të Maqedonisë. Por, kur nga ne kërkohet të jemi konstruktivë pranë të gjitha këtyre shkeljeve të Rregullores, të procedurave, por edhe të Kushtetutës së vendit, atëherë një konstruktivitet të tillë nga ne si VMRO-DPMNE, por edhe nga unë si deputet dhe qytetar, është e tepërt të pritet”,- deklaroi Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.
Por, megjithëse kryetari i Komisionit Parlamentar për çështje Europiane, Artan Grubi, e anuloi mbledhjen e komisionit që e pati caktuar për 22 nëntor, ku në rend dite do të ishte Ligji për gjuhët, nga shumica parlamentare kanë thënë se deklarata e eurokomisarit Han ka të bëjë me prioritetet aktuale për reformat dedikuar eurointegrimeve, ndërsa Ligji për gjuhën është marrëveshje mes partnerëve të koalicionit.
Për propozim-ligjin në fjalë VMRO-DPMNE ka propozuar 83 amendamente, LSDM 4 dhe Lëvizja BESA 2 amendamente.