VMRO me interpelancë për Dimitrovin

Grupi Parlamentar i VMRO-DPMNE-së është i pakënaqur me punën e ministrit të Jashtëm Nikolla Dimitrov. Ata veçanërisht theksuan deklaratën e tij në Komisionit për Çështje Kushtetuese ku tha se jemi “komb me komplekse”.

Interpelanca së pari është nënshkruar nga deputeti Antonio Milloshoski , e ndjekur nga koordinatori Nikolla Micevski, ish-kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski dhe nga ish-kolegu i Dimitrovit, Nikolla Popovski. Lista e nënshkrimeve në mbështetje të interpelancës nuk është nënshkruar nga Ilija Dimovski, ish-koordinatori Dragan Danev, deputetja Daniella Rangellova dhe deputeti Vllatko Gjorçev.

Më 28 janar, e hënë, ligjvënësit do të diskutojnë dhe votojnë për interpelancën për punën e ministrit të Jashtëm, Nikolla Dimitrov. 24 deputetët e VMRO-DPMNE-së, që nënshkruan iniciativën besojnë se ministri, funksioni e ka kryer me neglizhencë dhe nënvlerësim ndaj popullit, veçanërisht me anë të deklaratave të tij publike në Kuvend, në mënyra jashtëzakonisht poshtëruese për kombin maqedonas duke e quajtur “komb me komplekse”, me të cilin e ka dëmtuar reputacionin dhe dinjitetin e popullit maqedonas dhe të gjithë kombit të Republikës së Maqedonisë si një shtet i pavarur duke marrë parasysh se bartës të sovranitetit janë pikërisht qytetarët.