VMRO-DPMNE: Qytetarët i dërguan porosi LSDM-së se janë kundër shitjes së interesave kombëtare

Qytetarët e Maqedonisë dolën në mënyrë masive dhe i dhanë porosi Zoran Zaevit dhe LSDM-së se janë kundër shitjes së interesave shtetërore dhe kombëtare, kumton VMRO-DPMNE-ja.

“Qytetarët me krenari kundërshtuan padrejtësinë dhe nënçmimin nga ana e pushtetit. Qytetarët treguan se ata më nuk frikohen nga kërcënimet dhe presionet e Zaevit dhe kartelit të tij dhe porositën se është koha që t’u jepet fund premtimeve të rreme, keqpërdorimit të institucioneve dhe shkatërrimit të shtetit.

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë dërguan porosi deri te pushteti se nuk guxon që shteti edhe më tej të fundoset, ekonomia të stagnojë, ndërsa institucionet të jenë të robëruara nga karteli. Ata thanë se nuk dëshirojnë që edhe më tutje t’i udhëheqë pushtet i pafuqishëm dhe pa ide, i cili shpëtimin e kërkon në shitjen e interesave shtetërore.

Prej kur është LSDM-ja në pushtet, qytetarët gjithnjë e më shumë varfërohen, ndërsa karteli i Zoran Zaevit gjithnjë e më shumë pasurohet. E blenë gjigantin e Strumicës ‘Geras Cunev’, me çmimin e një banese njëdhomëshe të thjeshtë, u futën në biznesin milionësh të mariuhanës, ndërsa kamionët e tyre transportojnë miniera për nevojat e ‘KEM Manastir’.

Çmimin e pasurimit të Zaevit e paguajnë qytetarët. Nuk ka pagë 500 euro, nuk ka 100.000 denarë pagë për mjekët, nuk ka kthim të TVSH-së prej 15 %, nuk ka ndihmë sociale prej 12.000 denarëve, mjekim spitalor pa pagesë dhe nuk ka autostradë të re prej 600 kilometrave dhe 550 kilometra rrugë magjistrale. Qytetarët u vërtetuan se gjithçka që premtoi LSDM-ja është gënjeshtër e madhe.

Rritja e vetme të cilën e implementoi ky pushtet, e nuk e premtoi para qytetarëve është rritja e akcizës së naftës dhe prandaj sasinë e naftës të cilën qytetarët do të mund ta blenin me një pagë mesatare para një viti është për 120 litra më e vogël se sot.

Një vit janë në pushtet, e nuk arritën të realizojnë asnjë investim kapital. Arritën ta rrisin borxhin publik, e cili e tejkaloi kufirin psikologjik prej më shumë se pesë miliardë eurove. Qytetarët për çdo ditë janë dëshmitarë të huamarrjes nga ana e pushtetit, por mbetën pa përgjigje se ku përfundojnë paratë e tyre dhe sa do të duhet të kthejnë gjeneratat e ardhshme.

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë meritojnë të ardhme me prosperitet, jetë cilësore dhe të ardhme të sigurt për ata dhe për fëmijët e tyre.

Pikërisht për këtë, VMRO-DPMNE-ja kërkon zgjedhje të parakohshme së bashku me ato presidenciale, qeveri teknike 100 ditë para zgjedhjeve dhe kryetar të KSHZ-së me propozim të opozitës. Vetëm kështu do të krijohen kushte për zgjedhje korrekte.

Shteti më tutje nuk duhet të jetë rob i Zaevit dhe LSDM-së. Qytetarët të bashkuar dhe unik do ta fitojnë këtë kartel kriminel në pushtet dhe do të triumfojnë mbi padrejtësinë, mbi errësirën, nënçmimin dhe t’i japin fund sundimit. Republika e Maqedonisë meriton më mirë, qytetarët meritojnë më mirë, thuhet në kumtesën e Qendrës për komunikime të VMRO-DPMNE-së.