VMRO-DPMNE mban kongresin e jashtëzakonshëm


Filloi paraqitja e delegatëve në Kongresin e 16 të jashtëzakonshëm të VMRO-DPMNE-së. Kryetari i këshillit organizativ të Kongresit, Spiro Ristovski , theksoi se i pret dy ditë punë konstruktive të organit më të lartë partiak.

“Sipas agjendës prej orës 17 deri në orën 19 zgjat paraqitja e delegatëve. Prej orës 19 duhet të fillojë puna e Kongresit me ç’rast do të zgjidhen trupat e punës, më pas do të pasojë diskutim intern në të cilin çdo delegat mund të paraqitet, të japë shqyrtimin e tij për temat për të cilat do të debatohet. Ajo që është më interesante për opinionin do të ndodh nesër kur duhet të zgjidhet kryetari i ri i VMRO-DPMNE-së. Pres punë konstruktive të organit më të lartë”, tha Ristovski.

Në pyetjen e gazetarëve për qëndrimin e bashkëpartiakëve të tij Antonio Milloshoski, Ilia Dimovski të cilët thanë se nuk do të marrin pjesë në Kongres, Ristovski u përgjigj se partia hapat e ardhshëm i bën në pajtime me vendimet e trupave të partisë. Këtyre ditëve, theksoi, ka pasur debat konstruktiv dhe konkret në parti dhe në trupat e saj prej të cilit ai si kryetar i këshillit organizativ është i kënaqur.

Hirstian Mickovski, sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së është kandidati i vetëm për kryetar të ri të partisë në kongresin e jashtëzakonshëm që mbahet sot dhe nesër në Vallandovë. Kongresi i partisë pasoi pas tërheqjes së Nikolla Gruevskit nga funksioni lider.

Për të filluar me punë Kongresi nevojitet prani e dy të tretave të numrit të përgjithshëm prej 544 delegatë. Kandidati i vetëm për t’u zgjedhur për kryetar të VMRO-DPMNE-së duhet ta marrë mbështetjen shumicës prej numrit të përgjithshëm të delegatëve. Në të kundërt e gjithë procedura zgjedhore përsëritet.