“VMRO-DPMNE do të bojkotojë referendumin”


Qëndrimi i papërcaktuar i VMRO-DPMNE-së për referendumin është një taktikë politike e Mickoskit, thotë analisti Risto Nikovski. Ndonëse të hënën është afati fundit i deklarimit të deputetëve se a do të jenë pro apo kundër referendumit, partia më e madhe opozitare me 42 mandate në Kuvend ende nuk ka dhënë një qëndrim përfundimtar.

Nikovski thotë se bojkoti do të jetë vendimi i VMRO-së, pasi që po të thirren qytetarët për të dalë në votim kundër më 30 shtator, sipas tij, me arritjen e censusit mbi 50%, do të ketë manipulime të shumta nga pushteti vetëm që të kalojë pozitivisht referendumi.

“Mendoj se nuk duhet të ketë mëdyshje që partia më e madhe opozitare do ta bojkotojë me të drejtë referendumin, për shkak se fillimisht nuk ishin konsultuar me ata për referendumin. Pyetja që do të jetë në referendum është absolutisht e papranueshme, për shkak se kjo mundëson jo dy por tetë përgjigje. Kështu që, populli është vënë në një situatë se nuk ka çfarë të zgjedhë, por të votojë për diçka që nuk e kupton dhe është e paqartë,” tha Risto Nikovski, Analist. Ndërkaq, analistë të tjerë janë të mendimit se pavarësisht përcaktimit të partive politike rreth çështjes së referendumit, qytetarët duhet të dalin dhe vetë të vendosin për ardhmërinë e tyre.

Politikologu, Xhenis Sulimani thotë se qytetarët kanë një shans historik për tu rreshtuar pro perëndimit dhe për të devijuar kursin e ndikimit lindor në Maqedoni.

“Pavarësisht qëndrimit të partive politike rreth referendumit, unë mendoj se çdo qytetar i përgjegjshëm duhet të dalë atë ditë dhe të votojë pro referendumit. Madje edhe ditëve paraprake gjatë fushatës, çdo qytetar i përgjegjshëm duhet të bëjë propagandë pro referendumit. Dihet se qytetarët e Republikës së Maqedonisë, veçanërisht shqiptarët gjithmonë kanë qenë në anën e faktorit ndërkombëtar perëndimor dhe mendoj që me votën pro, qytetarët ia vendosin linjat e kuqe ndikimit rus në Republikën e Maqedonisë,” tha Xhenis Sulimani, Politikolog.

Përderisa edhe pesë javë kanë mbetur deri në ditën e mbajtjes së Referendumit, fushata do të nisë zyrtarisht më 10 shtator dhe do të zgjasë 20 ditë. Referendumi vjen pas marrëveshjes së arritur me Greqinë për ndërrimin e emrit të shtetit, ku qytetarët do të vendosin pro ose kundër ndryshimeve kushtetuese, që përfshin edhe emrin e ri, Maqedonia e Veriut.