VMRO-DPMNE deri nesër do t’i dorëzojë propozimet për PPS-në, pasnesër takim i ri


VMRO-DPNE deri nesër duhet t’i dorëzojë propozimet lidhur me ligjin për Prokurorinë Publike Speciale, ndërsa pasnesër, të premten, është caktuar takim i ri në të cilin do të bisedohet për dallimet për këtë çështje midis Qeverisë dhe opozitës.

Siç konfirmoi sot në konferencën për shtyp zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, ekzistojnë dallime serioze midis Qeverisë dhe VMRO-DPMNE-së, e cila kërkon PPS të jetë sektor i veçantë.

“Definitivisht për ne si Qeveri propozim-ligji është zgjidhja më e përshtatshme dhe vlerësojmë se duhet të implementohet pa zvarritje”, theksoi Boshnjakovski.

Ai konfirmoi edhe se kryeministri grek, Aleksis Cipras do ta vizitojë vendin por, siç tha, data e vizitës nuk është definuar akoma.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me ndryshimin e emrave të institucioneve, Boshnjakovski potencoi se shkurtesa ASHAM edhe më tej mbetet, ndërsa për emrin e plotë duhet të prononcohen akademikët. Për ARM-në, do të ndiqen fryma dhe parimet e Marrëveshjes së Prespës.

“Me siguri gjatë periudhës së ardhshme do të precizohet. Për momentin unë nuk kam informacione”, tha zëdhënësi.

Lidhur me Ligjin për regjistrim, zëdhënësi Muhamet Hoxha theksoi se kjo nuk ka qenë pikë e rendit të ditës në seancën e djeshme të Qeverisë. Kur të shqyrtohet ligji, opinioni, tha do të informohet.

Boshnjakovski informoi edhe për furnizimin e automjeteve për ambulanca për nevojat e Ndihmës së parë. Theksoi se ato tetë plotësuese që do të merren nga Ministria e Bujqësisë deri më tani praktikisht nuk janë përdorur dhe tani vetëm vihen në funksion.

“Ministria e Shëndetësisë i furnizon 12 automjete të reja për ambulanca. Këto tetë kanë ekzistuar në MBPEU dhe kanë qenë pothuajse të panevojshme. Ideja është tani të shfrytëzohen në mënyrë të përshtatshme”, tha zëdhënësi.

Shtoi se “mercedesi” akoma është pjesë e procedurës gjyqësore me ç’rast Qeveria nuk e shfrytëzon.

“Mercedesi është simbol i krimit të qeverisë paraprake. Kjo Qeveri hoqi dorë prej tij. Kryeministri asnjëherë nuk e përdor atë mercedes. Mercedesi është pjesë e procedurës gjyqësore dhe derisa procedura është aktive, ai do të mbetet aty ku është, në një pjesë të asaj procedure gjyqësore të PPS-së. Në të njëjtin moment kur të përfundojë, kur të mundësohet menaxhimi i tij në të ardhmen do të shohim çfarë do të ndodhë. Por, Qeveria është duke furnizuar automjete të reja për Shërbimin e Ndihmës së Parë”, nënvizoi Boshnjakovski.

Në konferencën për shtyp në Qeveri dy zëdhënësit në mënyrë më të thuktë i shpjeguan një pjesë të vendimeve të cilat u sollën në kuadër të seancës së djeshme të 126-të.