VMRO bojkoton, për anëtarë të ri në KSHZ duhen 81 vota. Flet Xhaferi


Konstatimi i dorëheqjeve të tetë anëtarëve të KSHZ-së mund të bëhet në seancën e parë të Kuvendit, gjegjësisht të premten. Kryetari i Kuvendit Talat xhaferi vetëm se ka caktuar seancë ku duhet të sillet Buxheti për vitin 2018.

Kryeparlamentari Xhaferi për Zhurnal tha se nuk duhet të caktohet seancë të posaçme për të konstatuar dorëheqjet e anëtarëve të KSHZ-së.

“Nuk duhet të caktohet seancë e posaçme për konstatimin e dorëheqjeve. Seancë të posaçme caktohet vetëm kur të zgjidhen anëtarët e ri, në këtë rast të KSHZ-së”, shprehet Xhaferi.

Sipas Rregullores Kuvendore, Kuvendi në seancën e parë, pa diskutim, konstaton se bartësit të funksionit publik apo tjetër, mandati i përfundon ditën e mbajtjes së seancës. Pas konstatimit të dorëheqjeve, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në afat prej tre ditëve duhet të njoftoj partitë politike që bëjnë pjesë në Parlament se duhet të propozojnë anëtarë në KSHZ. Kur të caktohet seanca, vendosë kryetari i Kuvendit.

Nëse partitë politike nuk i vërtetojnë emrat e kandidatëve të KSHZ-së në afat, anëtarët e KSHZ-së i propozon Komisioni për zgjedhje dhe emërime. Kuvendi publikon shpallje për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor në “Gazetën zyrtare”. Shpallja zgjatë tetë ditë nga dita e shpalljes në “Gazetën Zyrtare”.

Komisioni për çështje dhe emërime të Kuvendit i vërteton propozimet nga kandidatët e paraqitur në konkurs dhe e dorëzon në Kuvend. Por, procedura mund të komplikohet zgjatë zgjedhjes të tre ekspertëve të cilët zgjidhen në konkurs mirëpo nuk duhet ti përkasin asnjë partie, konkretisht, të jenë të pavarur.

Por ajo që është diskutabile se anëtarët e ri duhet të zgjidhen me 2/3 e votave në Parlament, gjegjësisht me 81 votë, ndërsa nga dje edhe zyrtarisht VMRO-DPMNE-ja opozitare braktisi Parlamentin, gjë që momentalisht në Parlament veprojnë vetëm deputetët e shumicës parlamentare.

Agjencia e Lajmeve Zhurnal ka pyetur kryeparlamentarin Xhaferi se si është e mundur të sigurohen 81 votë, kur tani dimë se deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk janë në Kuvend? Xhaferi shkurt u përgjigj: “Kjo nuk është puna ime. Për këtë gjë le të mendojnë partitë politike”