Vlorë/ Vetëhelmohet me ilaçe dhe ndërron jetë, i lë letër mbesës “amanet fëmijët”


Një 29-vjeçare nga Roskoveci i dha fund jetës duke u vetëhelmuar me një sasi të konsiderueshme ilaçesh sot në qytetin bregdetar të Vlorës.

Policia pas ngjarjes tronditëse tha se shtetasja Marsela Pirjani kishte shkuar në spitalin e Vlorës në gjendje të rëndë ku edhe ndërroi jetë.

Mësohet se e reja ishte nënë e dy fëmijëve, 8 e 2 vjeç, dhe kishte shkuar në Vlorë tek një njeri i afërt i saj. Para se të vetëflijohej 29-vjeçarja raportohet se i ka lënë një letër mbesës së saj në Fier, duke i kërkuar të kujdeset për dy fëmijët e saj.

“Amanet fëmijët, unë do vras veten”- ka shkruar ndër të tjera në letër nëna e dy fëmijëve.

Kohët e fundit ajo ishte përballur me probleme ekonomike dhe ishte në gjendje të rënduar psikologjike, ndërsa Policia pas ngjarjes së rëndë po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij akti të rëndë.