(VIDEO) Përkujtohet “Bllaca 99”: Faleminderit për bukën dhe ujin!


Në organizim të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, të mërkurën është vënë gurthemeli i Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”, në fshatin Bllacë të Komunës së Hanit të Elezit. Kjo është bërë në prani të shumë zyrtarëve të lartë politikë të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut ku dhe u promovua treni me mbishkrimin “Përjetësisht në memorien shqiptare”, që është simbol i tragjedisë së shqiptarëve të Kosovës që erdhën me trenin në kufirin e Bllacës.

I pari i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se i vejnë gurthemelin një shtëpie që i zë kujtimet e shqiptarëve, me shpresë që ndjekjen nga toka e vet nuk do ta përjetojë më askush. Ai tha se muzeu do të jetë shtëpi e kujtesës kolektive ku do të vijnë breza për të mësuar sa e shtrenjtë është liria dhe sa dhembje sjell rruga deri në liri.

Haradinaj: Me shfaqjen e UÇK-së populli rizbuloi forcën mos me dhanë më tokë

“Pushtuesi është mësuar një shekull të marrë tokë nga shqiptarët dhe kur u shfaq UÇK-ja populli e rizbuloi forcën e tij mos me dhanë më tokë, duke u rreshtuar në luftën për liri dhe dinjitet dhe regjimi i Millosheviqit duke e ndjerë fundin e vet, nisi fushatën e mizorive për të marrë sa me shumë jetë nga shqiptarët. Por bota e lirë e prirë nga Amerika ja mbylli rrugën me drejtësi kësaj mizorie për ta rikthyer shpresën”, tha ai, njofton Kosova Press.

“Kujtesa jonë duhet ta zgjojë vëmendjen e secilit njeri, edhe fqinjëve tanë, sidomos të serbëve që mos të ua trazojnë plagët ende të freskëta shqiptarëve, por t’i respektojnë vuajtjet e tyre”, tha tutje Haradinaj.

https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/videos/2014771748818775/

Haradinaj shtoi se ky muze flet kundër mizorisë së njeriut ndaj njeriut.

“Në respekt dhe përkujtim të vuajtjeve por edhe të rezistencës së refugjatëve kosovarë, po e ngritim këtë qendër përkujtimore të gjenocidit serb në Kosovë, pra ‘Bllacën 99’. Shtëpi qe flet me zërin e ndërgjegjes kundër harresës, ky duhet të jetë një muze botëror, i gjithëkohshëm që flet kundër mizorisë së njeriut ndaj njeriut”, vijoi kryeministri. Ai falënderoi të gjithë bashkëkombësit, dhe miqtë ndërkombëtarë për ndihmën që u dhanë shqiptarëve 20 vjet më parë, ku i pritën dhe i ndihmuan si refugjatë.

Ahmeti: Akoma plagët janë të hapura

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti duke folur për ndodhitë e asaj kohe tha se është bërë gjenocid duke i marrë jetën e mijëra njerëzve. “Ky gjenocid mori me mijëra e mijëra njerëz që sot akoma plagët janë të hapura me mijëra që nuk dihet se ku i kanë varret, dhe nuk dihet se ç’fat kanë pasur ata, ky tren dhe kjo ngjarje dhe kjo përkujtimore na kujton të gjithë neve që ne të kaluarën të mos e harrojmë, sepse nëse harrohet e kaluara, vështirë se mund të ndërtojmë të ardhmen. Nga kjo e kaluar ne gjithandej po edhe sot nga kjo qendër përkujtimore ua kujtojmë të gjithë atyre që akoma nxisin, që akoma nuk e kanë mësuar të vërtetën qe akoma kanë pretendime dhe synime, le t’i harrojnë sepse e kaluara na ka mësuar si të veprojmë”, tha Ahmeti.

Gjatë kësaj ceremonie, drejtori i Institutit Asani theksoi: “Sot ne nuk po vendosim vetëm një gurthemel të një qendre përkujtimore, madje as treni që sot e kemi këtu si shenjë kujtimi për një të kaluar të hidhur nuk është i mjaftueshëm për ta përkapur krejt përkushtimin dhe synimin tonë. Në të vërtetë, ne sot këtu po vendosim të ngremë një qendër që do ta konservojë, ruajë, mbrojë dhe kultivojë krejt kujtesën historike të shumë gjeneratave shqiptare përgjatë më shumë se një shekulli. Vërtet të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, sepse kjo është përtej fuqisë sonë, por atë mund ta përkujtojmë çdo ditë, që të marrim mësim prej saj dhe të mos lejojmë që ajo të na përsëritet”, theksoi ai.

Sot, shumë qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës morën pjesë në organizimin e përkujtimit në Bllacë. Gjithashtu u organizua edhe udhëtimi me tren deri në Bllacë. Kujtojmë se 20 vjet më parë në Bllacë kanë kaluar mbi 440 mijë shqiptarë në portën e daljes për Maqedoni, në mesin e tyre gra e burra, fëmijë e pleq.