Vetëvendosja ka ngritur padi kundër Thaçit për tradhëti


Deputetja e “Vetëvendosjes” Albulena Haxhiu ka treguar se pak para seancës për Demarkacionin, ka dërguar në Prokurorinë Speciale të Kosovës kallëzim penal ndaj Presidentit Hashim Thaçi, pasi VV-ja e konsideron tradhti ndaj vendit nënshkrimin e Marrëveshjes së Demarkacionit.

“Sot ne si subjekt kemi deponuar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Hashim Thaçi me vepër penale ‘tradhtia ndaj vendit'”, është shprehur Haxhiu.

Ajo ka treguar se deri më tani VV-ja s’ka mundur ta padisë Thaçin sepse në vitin 2015 kur e kishte nënshkruar Marrëveshjen ishte ministër i Punëve të Jashtme.

Kuvendi i Kosovës sot është dashur të mbajë seancë të jashtëzakonshme në të cilën është dashur t votojë për ratifikimin e Marrëveshjes, por pas dy orëve vonesë, mbledhja u ricaktua për nesër.

Seanca u shty sepse koalicioni qeveritar ende nuk mund të sigurojë shumë prej dy të tretave për ratifikimin e Marrëveshjes, pasi Lista serbe zyrtarisht kumtoi se nuk do të votojë për dokumentin.

Për ratifikimin e marrëveshjes është e nevojshme të votojnë 80 nga 120 deputetët dhe deri më tani janë siguruar 78 vota. Dy votat tjera duhet të vijnë nga disa prej deputetëve të listës serbe ose të “Vetëvendosjes”, e cila është kategorisht kundër dokumentit.

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi u nënshkrua më 26 gusht të vitit 2015 dhe ratifikimi i tij është kushti kryesor nga Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave.