Vetëm 15 nxënës zgjedhin matematikën!


Kur janë në pyetje zgjedhjet e nxënësve sa i takon verifikimit të dijeve, të gjithë e shmangin lëndën e matematikës. Edhe këtë vit, pjesa dërmuese e maturantëve në provimet eksterne, pra të atyre që vlerësohen nga komisione jashtë shkolle janë përcaktuar të japin për provim të maturës shtetërore gjuhën e huaj dhe jo matematikën, shkruan gazeta KOHA. Edhe në këtë zgjedhje ka sërish një tendencë të dallueshme të përcaktimit të nxënësve drejt gjuhës angleze. Rreth 95 për qind e nxënësve që kanë paraqitur provimet e e maturë shtetërore për afatin e qershorit, kanë zgjedhur gjuhët e huaja.

Kështu, sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP) në provimet e gjuhëve së huaj të cilat u zhvilluan të shtunën ishin paraqitur 14.391 maturantë. Ndërkaq, numri i kandidatëve për dhënien e provimeve të maturës shtetërore për afatin e qershorit është rreth 15.000, që do të thotë se mbi 95 për qind e nxënësve në nivel të gjitha shkollave të Maqedonisë zgjedhin të verifikojnë dijet në lëndët e gjuhëve të huaja, kryesisht në lëndën e anglishtes.

Ka shkolla, si gjimnazi “Zef Lush Marku” i Shkupit ku 100 për qind e maturantëve zgjedhin anglishten dhe ku matematika për një numër shumë të vogël nxënësish ka paraqitur interes si lëndë e tretë. Drejtori Faruk Zeqiri thotë për KOHA se këtë vit, ZLM numëron 543 maturantë dhe se të gjithë e kanë paraqitur Maturën Shtetërore.

“Për lëndën e gjuhës amtare, respektivisht për gjuhën shqipe janë paraqitur 543 maturantë. Po kaq maturantë, pra 543 kishin paraqitur për provim edhe gjuhën angleze. Për lëndën e matematikës, të cilën e zgjedhin mes lëndëve të tjera si biologjia, fizika, kimia, historia e kështu me radhë, janë përcaktuar 15 nxënës”, deklaron Zeqiri. Pra, sikurse tregon drejtorit, matematikën e kanë zgjedhur vetëm 2.7 për qind e nxënësve të këtij gjimnazi. Ajo, që gjithashtu bie në sy është orientimi i nxënësve për maturën shtetërore.

Mes zgjedhjes për këtë lloj mature apo për llojin e maturës shkollore, asnjë në këtë gjimnaz nuk është përcaktuar për këtë ët fundit. Kjo duhet të lidhet me përparësinë që ka matura shtetërore, për dallim prej maturës shkollore, në vazhdimin e shkollimit në nivelin e arsimit të lartë. Ata që zgjedhin të japin maturë shkollore, e cila ka vetëm provime me vlerësim intern (nga komisione që formohen brenda shkollës) nuk mund të pretendojnë regjistrimin ë fakultetet pasi për këtë është më se e nevojshme matura shtetërore, pra notat e provimeve me vlerësim ekstren (të vlerësuara nga komisioni i jashtëm).

Nga QSHP nuk kanë dalë ende me të dhënë konkrete për numrin e maturantëve që kanë paraqitur matematikën si provim ekstren, në nivel shteti. Kjo pritet të mësohet, në 13 qershor ku edhe është caktuar të zhvillohen provimet në këtë lëndë. Sakaq provimet e gjuhës amtare (maqedonisht, shqip dhe turqisht) janë caktuar për në datën 9 qershor, ndërsa provimet e fizikës, kimisë, biologjisë, historisë, filozofisë, estetikës dhe biznesit do të organizohen në datën 11 qershor.

Në kuadër të provimeve të maturës shtetërore, nxënësit u nënshtrohen verifikimit të dijeve në tre provime ekstre edhe atë në mënyrë të obligueshme në lëndën e gjuhës amtare apo gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi, në lëndën e anglishtes apo matematikës dhe në një lëndë tjetër që ata mund të zgjedhin nga lista përkatëse. (koha.mk)