Vazhdojnë negociatat për kompletimin e qeverisë


Qeveria akoma nuk ka vendosur se kush do të jenë personat të cilët do të emërohen në krye të institucioneve qeveritare, të cilat mbetën të zbrazëta pasi para vitit të ri, Aleanca për Shqiptarët vendosi që të dalë nga Qeveria.

I pyetur për këto çështje, zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, deklaroi se kjo çështje nuk ka qenë temë diskutimi në seancën e fundit të Qeverisë dhe se kjo është e temë që duhet ta trajtojnë partitë politike.

Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandër Kiracovski, thotë se për kompletimin e ekzekutivit, partia e tij është duke vazhduar bisedimet me të gjitha partitë politike, por akoma nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë sqaroi se janë emëruar dy drejtorë. Gjoko Kotevski është drejtori i ri i burgut të Shkupit, përkatësisht burgut të Shuto Oreizares, ndërsa Bore Erçekov është emëruar drejtor i Inspektoratit të Ndërtimit.

Për institucionet tjera, duke përfshirë edhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Qeveria njofton se do të jenë në rend dite në seancën e ardhshme qeveritare që do të mbahet të martën.