Varshmëria nga telefonat celularë bëhet përditshmëri


Telefonat celularë bëhen pjesë e domosdoshme e jetesës sonë të përditshme. Janë të pranishëm e gjithë popullata pa dallim të moshës – i përdorin fëmijët, të rriturit, pleqtë… Pa telefonat celularë nuk mund të kalojmë as edhe një minutë. Janë të shumtë shembujt kur për shkak të telefonit të harruar kthehemi në shtëpi për ta marrë, kur shikojmë në telefon duke kaluar rrugën, kur lëvizim me makinë dhe bisedojmë në telefon celular, kur rrimë me miqtë dhe në vend se të bisedojmë, shikojmë në telefon…

Hulumtimet tregojnë se 26 për qind e njerëzve e kërkojnë telefonin celular derisa bisedojnë me të, ndërsa shumë pak kohë u duhet që të kuptojnë se e kanë humbur telefonin celular, sesa kur të humbin kuletën ose ndonjë gjë tjetër të vlefshme.

“Mundësia për kombinimin e më shumë funksioneve në një aparat të vogël, që mund ta vendosni në xhep mundëson mobilitet më të madh dhe argëtim. Si në pjesën profesionale, ashtu edhe në atë private të jetës, këta telefona i zgjerojnë aftësitë tona dhe na ndihmojnë që shpejt, me kohë dhe në mënyrë efikase t’i zgjidhim problemet. Kështu, vetë natyra e telefonave celularë bën që mungesën e tyre ta konstatojmë shumë shpejtë dhe kjo rezultoi me shqetësimin tonë, shprehet prof. dr. Marijana Markoviq nga Instituti për Hulumtime Sociologjike dhe Politike-Juridike.

Lidhur me atë se sa jemi të varur nga telefonat flet edhe e dhëna se së paku gjashtë orë kohë pas kohë kalojmë në internet, ndërsa vetëm në rrjetet sociale Fejsbuk dhe Instagram klikojmë deri 30 herë në ditë derisa hamë darkë, derisa jemi në teatër, kinema ose rrimë me miq.

Përdorimi i telefonave celularë e tërheqë vëmendjen, ndaj si rezultat ekziston rreziku që të mos e vërejmë se ka makinë kur kalojmë rrugën, të mos jemi të kujdesshëm derisa drejtojmë automjetin, se nuk jemi të përqendruar në punë… Telefonat celularë dhe aplikacionet që i ofrojnë janë arsyeja që nxënësit të mos e ndjekin mësimin në shkollë, për shkak të cilës arsye arsimtarët kanë probleme me përqendrimin e fëmijëve në orë.

Profesoresha Markoviq shprehet se nuk mund të heqim dorë nga telefonat celularë, por ajo që duhet të bëjmë dhe të mësojmë është kultura e përdorimit të këtyre telefonave.

“Paraqitja dhe përdorimi i telefonave celularë është në përputhje me fenomenologjinë e jetesës bashkëkohore ku gjithçka që është e kapshme për një kohë shumë të shkurtër dhe ku largësia/shpejtësia janë kategori relevante. Dobia e telefonave celularë nuk mund të kontestohet, por do të mund të paramendonim që të jetojmë sërish në kohën e telefonave të vjetër, fiks, të cilët për gjeneratat e reja ndoshta edhe janë të panjohur. Asnjë produkt teknologjik nuk është vetvetiu i keq ose i mirë. Mënyra në të cilën i përdorim gjërat mund të jenë të dobishme ose të dëmshme për ne ose për të tjerët. Pikërisht për këtë arsye edhe duhet të mësohemi në kulturën e përdorimit të, në këtë rast, telefonave celularë”, thekson Markoviq.

Por, që të fillojmë t’i ndryshojmë shprehitë dhe t’i përdorimi telefonat celularë vetëm kur me të vërtetë na janë të domosdoshëm, duhet fillimisht të bëhemi të vetëdijshëm se jemi të varur prej tyre. Ndryshimi i shprehisë, shprehen psikologët, ndodh në atë moment kur do të bëhemi të vetëdijshëm se çfarë bëjmë, si sillemi, si reagojmë dhe në çfarë funksioni është sjellja jonë.

” Duke marrë parasysh faktin se arsimtarët çdo orë kanë problem me nxënësit të cilët nuk e ndjekin mësimin për shkak të përdorimit të telefonave të mençur, ndryshimi i shprehive do të ishte mirë të fillojë të ndodhë në shkolla përmes programeve të përpiluara mirë”, shprehet profesoresha Markoviq.

Ajo përkujton se duhet bërë dallimin mes shprehive të zakonshme të përdorimit të telefonave të mençur nga përdorimi problematik i telefonave. Me përdorim problematik nënkuptohen situatat kur individi nuk është në gjendje të kontrollojë nevojën e telefonit celular gjë që ka reflektim negativ në jetesën e përditshme.

“Përdorimi i definuar në këtë mënyrë i telefonave celularë bëhet problem shëndetësor, i cili kërkon trajtim të posaçëm”, sqaron profesoresha Markoviq.

Ende ekzistojnë dilema nëse telefonat celularë ndikojnë në shëndetin

Ende ekzistojnë dilema nëse radio-frekuencat nga telefonat celularë kanë ndikim negativ në shëndetin e njerëzve dhe janë shkaktarë të një vargu të sëmundjeve. Janë realizuar shumë hulumtime shkencore, por edhe më tutje mendimet janë kundërshtuese. Të parët thonë se telefoni ka ndikim të dëmshëm dhe mund të jetë arsye për paraqitjen e alergjive, plakjes së lëkurës dhe kancerit, derisa të tjerët shprehen se nuk ka arsye për brengosje dhe se ekspozimi ndaj rrezeve nga telefonat celularë nuk ka ndikim të dëmshëm në shëndetin. Megjithatë, rekomandohet që të përdoren telefona celularë sa është e mundshme më shkurt dhe të përzgjidhet model i telefonave që rrezaton më pak.

Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë këshillon fëmijët nën moshën dy vjeçare që të mos luanë me telefona celularë për shkak se gjatë periudhës së zhvillimit të sistemit të tyre nervor mund t’u nënshtrohen rreziqeve shëndetësore të pazbuluara deri tani. Prandaj, rekomandohet që prindërit të ndikojnë te fëmijët ashtu që, në vend se të kalojnë më shumë kohë në telefon celular, t’i shtyjnë që të merren me aktivitete të tjera.