Ulje minimale të çmimit të energjisë elektrike


Çmimi i energjisë elektrike do të pësojë ulje minimale. Këtë e paralajmëroi drejtori i ri i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski. Ai ka shtuar se nesër do të mësohet sa do të jetë ulja. Bislimovski shprehet se kompania shtetërore për prodhimin e energjisë elektrike, ELEM ka kërkuar ulje të çmimit për 1,5% ndërsa EVN Maqedoni rritje prej 9%. MEPSO nuk ka dorëzuar përllogaritje të përmirësuar të shpenzimeve. Krahas kësaj, Bislimovski paralajmëroi se janë duke përgatitur Rregullore me të cilën do të ulet çmimi për kyçje të energjisë elektrike. 

-Për momentin, kyçja standarde kushton rreth 30 000 denarë. Me rregulloret e reja, ky çmim do të ulet. Apelojmë deri tek komunat që të dorëzojnë Plane të hollësishme urbanistike që të munden qytetarët të jenë në kategorinë e atyre standard e jo në kategorinë e kyçjeve jostandard – bëjnë me dije nga KRE-ja.

Nga Komisioni shprehen se në gjysmën e dytë të korrikut, Qeverisë do t’i dorëzojnë kushtet sipas të cilave kompanitë do të mund të konkurrojnë që të bëhen furnizues universal dhe furnizues përfundimtar të qytetarëve, të cilët prej muajit mars të vitit të ardhshëm nuk do të duan të blejnë rrymë në tregun e lirë. Bislimovski ka theksuar se një prej kushteve se cila kompani do të fitojë në këtë tender është fitimi më i vogël që do ta kërkojë nga KRE. Megjithatë, pjesa dërmuese e ekspertëve presin që me liberalizimin e tregut, çmimi i rrymës për qytetarët do të rritet, pasi do të përfundojë subvencionimi i kompanive që paguanin energji më të lartë elektrike. Nga Komisioni shprehen se deri në maj të vitit të ardhshëm, nuk do të ndryshojë metodologjia për përllogaritjen e derivateve të naftës./Alsat