UEFA merr vendimin për Sergio Ramos


UEFA tha të martën se nuk do të marrë masa kundër Sergio Ramos për bërrylin e tij kundër Loris Karius, portierit të Liverpool, dy minuta para golit të parë të të bardhëve, gjatë finales së Champions-it, që Real Madridi e fitoi të shtunën e kaluar kundër “Reds” në Kiev. Organi qeverisës i futbollit europian tha se rregulli disiplinor, që lejon hapjen e procedimit disiplinor për shkeljet e rënda, që nuk janë parë nga gjyqtarët, nuk vlen në këtë rast.

Sergio Ramos goditi në kokë portierin Karius, kur rezultati ishte 0-0, dy minuta para se të shënonte Karim Benzema, pas një gabimi të rëndë të portierit. Tifozët e Liverpool dhe Egjiptit janë shumë të zemëruar me Ramos, sepse besojnë që mbrojtësi i Real Madridit e dëmtoi me qëllim Mohamed Salah, i cili qe i detyruar të tërhiqej nga finalja e Champions-it pas 30 minutash lojë.