U ngrit akuzë kundër tre të dyshuarve të parë në “Reket”


Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit sot ngriti akuzë kundër  Bojan Jovanovskit, Katica Janevës dhe Zoran Milevskit – Kiçeec, të dyshuar në rastin “Reket”.

Siç bëhet e ditur në kumtesën e Prokurorisë Publike, i dyshuari i parë dyshohet se ka kryer vepër penale “pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga krimi”, ndërsa dy personat e tjerë për “pranimin e shpërblimit për ndikim të paligjshëm”. I dyshuari i dytë akuzohet edhe se ka kryer edhe vepër penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.

“I akuzuari i parë në periudhën prej nëntorit të vitit të kaluar e deri në prill të këtij viti, duke e përdoruar ndikimin e e tij ndaj të dyshuarit të dytë – prokuror publik, kishte ndikuar që të kryhet veprim zyrtar i cili nuk guxonte të kryhej. Ai, duke përdoruar marrëdhëniet miqësore paraprake, kishte ndikuar ndaj të dyshuarës së dytë, gjatë zbatimit të procedurës hetuese në lëndën e quajtur ‘Perandoria’, që ta lehtësojë pozitën e dëshmitarit i cili në këtë lëndë është një nga të dyshuarit dhe të cilit me propozim të prokurorit publik i ishte përcaktuar  masa e paraburgimit.  I dyshuari i tretë ka kontribuuar për kryerjen e veprës penale duke u marrë vesh për takime të vazhdueshme të të akuzuarit të parë me bashkëshorten e dëshmitarit, ndërsa më vonë edhe me dëshmitarin, duke i bindur për ndikimin e tyre ndaj prokurorit publik”, sqaron Prokuroria Publike.

E dyshuara e dytë e ka përdorur pozitën zyrtare dhe pasi i dyshuari i parë bashkë me të dyshuarin e tretë i kishte marrë 500.000 eurot për të cilat ishin marrë vesh nga bashkëshortja e dëshmitarit ka dorëzuar deri te Gjykata e Apelit në Shkup propozim për përcaktimin e masës më të lehtë – arrest shtëpiak, e cila ishte pranuar. Njëherit, sipas marrëveshjes, pas pagesës së 1.000.000 eurove, e dyshuara e dytë ka dorëzuar pëlqim me shkrim deri te gjykata që dokumentacioni i cili i ishte marr t’i kthehet dëshmitarit.

Me veprimet e ndërmarra zyrtare, e dyshuara e dytë e ka përdoruar dhe e ka tejkaluar pozitën e saj zyrtare dhe autorizimin dhe për vete ka përfituar pronë në vlerë të madhe edhe atë në sende – mobilie në vlerë prej 296.040,00 denarë dhe para në vlerë prej 50.000 euro, ndërsa për ndikimin e paligjshëm dy të dyshuarit e tjerë kanë pranuar shpërblim prej 1.500.000 euro. I dyshuari i parë edhe pse i papunë, me xhirollogari të bllokuara dhe pa të ardhura, në fillim të këtij viti kishte blerë për vete mobilie luksoze, rroba dhe këpucë dhe kishte qëndruar në vendpushimet –  jashtë shtetit  që bën të ditur se i ka lëshuar në qarkullim mjetet në të holla të cilat i ka përfituar me veprën penale “Pranim të shpërblimit për ndikim kundërligjor”.

Me aktakuzën, deri te Gjykata Themelore Penale – Shkup është dorëzuar edhe propozim për vazhdimin e masave të shqiptuara për të akuzuarit.