U krijua Këshilli Shqiptar i Paqes në Maqedoni


Në Shkup u krijua Këshilli Shqiptar i Paqes në Maqedoni dhe me këtë rast disa parsonalitete shqiptarë iu bashkangjitën familjes së Ambasadorëve të Paqes. Këtë titull e ndan Federata Universale e Paqes dhe u jepet individëve që u përkushtohen praktikave që promovojnë vlera universale, transmeton Zhurnal.

Në këtë konferencë morrën pjesë edhe ish presidentët e Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, ish kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe shumë personalitete të tjerë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.

Kryetari i Federatës së paqes për Evropën Lindore, Jack Corley, foli mbi rolin e shqiptarëve në Ballkan, duke e cilësuar atë si një rol pozitiv në afrimin e popujve. Ai theksoi se Federata e Paqes Universale përtej të gjitha kufijve siç janë ato nacional dhe fetar, është një mjet për të krijuar paqe për të gjithë njerëzit.

Corley tha poashtu se njësia kryesore për të krijuar një shoqëri paqësore është familja.

Federata e Paqes Universale është një rrjet global individësh dhe organizatash që i janë përkushtuar ndërtimit të një bote në paqe, bazuar në vlera morale dhe shpirtërore universale. Deri tani në botë numërohen mbi 100.000 Ambasadorë të paqes. Ndërsa në Shqipëri dhe Kosovë janë emëruar rreth 1500. Ambasadorët e paqes i takojnë sferës politike, akademike, fetare, të shoqërisë civile dhe të ngjajshme.

LISTA E PERSONALITETEVE QË U ËSHTË DHËNË TITULLI „AMBASADOR I PAQES“:

1. Shpëtim Pollozhani, Kryetar i Shoqatës së ish të Dënuarve Politik Shqiptarë në Maqedoni
2. Ziadin Sela, Deputet, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët
3. Rufi Osmani, Ish deputet dhe lider partie, profesor në UEJL
4. Vullnet Ameti, Rektor i Universitetit të Tetovës
5. Hisni Shaqiri, Ish deputet dhe lider partie
6. Branisllav Sinadinovski, Ish amabsador, Kryetar i BF të Shqiptarëve Ortodoksë në Maqedoni
7. Blerim Reka, Profesor në UEJL dhe ish ambasador i Maqedonisë në BE
8. Abdulla Mehmeti, Kryetar i Akademisë Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, Shkup
9. Gjylymsere Kasapi, Shoqëria civile, deputete e LSDM
10. Fatmir Dehari, Kryetar i Komunës së Kërçovës
11. Afrim Gashi, Deputet, sekretar i Lëvizjes Besa
12. Adelina Marku, Shoqëria civile, MPJ e Maqedonisë
13. Dijana Toska, Gazetare, producente
14. Ilir Muhamedi, Ish drejtor i Aviacionit CAA
15. Abdylmutalip Bushi, Pronar i BUSHI Resort

Ndërsa në këtë listë nuk janë përfshirë disa personalitete që për shkaqe objektive kanë qenë të paraparë por nuk kanë marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së titullit ,,Ambasador i Paqes”.