“Trust”, të premten fjala e fundit

Gjykatësja Lidija Trajkovska-Zimbovska, e cila është kryetare e Këshillit Gjyqësor për lëndën “Trust” të premten (20 korrik) në orën 12:00 do ta publikojë vendimin e gjykatës për të akuzuarit në këtë lëndë.

I akuzuari i parë në lëndën “Trust” është afaristi Sead Koçan, i cili sot në fjalët përfundimtare tha se nuk ndjehet fajtor, pasi nuk ka pasur asnjë qëllim që të shkel ligjet, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Përkrah të fortit digjet edhe i drejti. Qëllimi im i vetëm ka qenë konkurrenca në treg dhe të sigurohet punë për të punësuarit dhe familjen time”, tha Sead Koçan.

Ai theksoi se nuk i ka kontrolluar dokumentet për këtë rast, duke shtuar se për këtë punë menaxheri ka qenë përgjegjës.

Sipas aktakuzës, të dyshuarit me dokumente të falsifikuara kanë kurdisur tender në ELEM me vlerë prej 17 milionë euro.