Transporti publik falas në Shkup shfuqizohet nga ora 18


Qyteti i Shkupit informon se sot nga ora 18 hiqet transporti publik falas pas informacionit të marrë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor se koncentrimi i grimca PM10 në ajër është nën pragun e definuar të alarmimit prej 200 mikrogramë në metër kub dhe se episodi i ndotjes së rritur të ajrit gjatë dy ditëve radhazi është ndërprerë, njofton Koha.

Masat dhe rekomandimet për zvogëlimin e ndotjes së ajrit do të vendosen sërish nëse përsëritet episodi me ndotjen e ajrit për të cilën qytetarët do të informohen në kohë.

Edhe krahas pastrimit të ajrit, Qyteti i Shkupit apelon që qytetarët të mos i shfrytëzojnë automjetet pa nevojë, më shumë persona të transportohen me një automjet, të shfrytëzohet transporti publik, për ngrohjen e shtëpive të mos shfrytëzohen materiale mbeturinash, vaji i djegur, mbetje me llak dhe ngjyra të drurit, PET ambalazh, goma dhe çfarëdo qoftë materiali sintetik, të shfrytëzohen drunj të thatë dhe të pastër, ndërsa stufat me dru të shfrytëzohen dhe mirëmbahen sipas udhëzimeve të prodhuesit.