Transporti i paligjshëm “më konkurrent” për udhëtarët e linjave ndër urbane


Autobusët e linjave mes qyteteve gjatë ditëve të punës lëvizin gjysmë të zbrazët, ndërsa një pjesë e transportit tashmë mbulohet me furgona, meqë udhëtarët gjithnjë e më shpesh i përdorin shërbimet e transportuesve të paligjshëm. Ata janë konkurrencë jolojale e transportuesve të regjistruar, të cilët ankohen se shënojnë gjithnjë e më shumë humbje dhe se nuk janë në gjendje t’i paguajnë të punësuarit. Njëherësh, qytetarët të cilët përdorin shërbime të transportit të paligjshëm arsyetohen se për çmim të njëjtë sa kushton bileta e autobusëve marrin transport deri në cilindo vend, e jo vetëm deri te stacionet e autobusëve, por nuk komentojnë faktin se në këtë mënyrë prodhojnë ekonomi gri.

Me problemin e transportuesve të paligjshëm duhet të merren 16 inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Transportit, si dhe 60 inspektorë komunal, të cilët janë të obliguar me ligj që të ndërmarrin masa në territorin e komunës.

Transporti i paligjshëm dakordohet përmes rrjeteve sociale.

Sipas pohimeve të asociacionit të transportuesve “Lindje”, me ndihmën e Fejsbuk-grupeve organizohet transporti i paligjshëm thuajse nga të gjitha qytetet e shtetit. Në Shkup transportuesit e paligjshëm në të shumtën e rasteve gjenden rreth Stacionit të autobusëve për transport mes qyteteve në Shkup, ish-stacionin e autobusëve në afërsi të shtëpisë së mallrave “Ura”, konviktet studentore, në rr. “Partizane” në afërsi të kishës “Shën Klimenti i Ohrit” Shkup, kompleksin e fakulteteve në Bit Pazar, QT CityMol… Nga qytetet nga brendia automobilat e transportuesve të paligjshëm të cilët nuk kanë “gjetur udhëtarë të sigurt” jo rrallë nisen para autobusëve dhe i mbledhin udhëtarët e tyre.

Kryetari i “Lindje”-s Goran Tërpkovski shprehet se ekziston bazë për sanksione dhe mekanizëm, por institucionet shtetërore heshtin dhe nuk veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre. Për të ndihmuar në luftimin e transportuesve të paligjshëm, deri te institucionet kanë dorëzuar paraqitje tabelare të targave dhe karakteristika të automjeteve të transportuesve të paligjshëm sipas qyteteve.

– Për shkak të lehtësimit të kontrolleve, e që të evitohet arsyetimi se institucionet nuk kanë kuadër të mjaftueshëm për mbledhjen e të dhënave për transportuesit e paligjshëm, asociacioni “Lindje” në bashkëpunim me të gjithë anëtarët mblodhi të dhëna sipas komunave, për çdo automjet – transportues të paligjshëm ndaras, me kohën e nisjes, rutën e lëvizjes. Janë përpiluar një numër i madh i planeve të veprimit me shpresën se me ndihmën tonë do të sanksionohen transportuesit e paligjshëm, por nuk u zbatuan dhe nuk u morën parasysh. Me këtë u konfirmua dyshimi se nuk bëhet fjalë për mungesë të kuadrit, por mungesë të vullnetit dhe ndoshta konflikt të interesave për zbatimin e tyre, shprehet Tërpkovski për MIA-n.

Në fillim të vitit të kaluar kanë parashtruar edhe kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit kundër “subjekteve që ushtrojnë veprimtari të paregjistruar, transport të udhëtarëve në komunikacionin rrugor (transportues të paligjshëm), por nga Ministria e Brendshme kanë marrë përgjigje se ende janë duke u mbledhur informacione dhe dëshmi.

Sipas Tërpkovski, institucionet kompetente duhet sa më shpejtë të formojnë grup punues për luftimin e ekonomisë gri me plane për ndërmarrjen e masave urgjente në këtë fushë, duke ndjekur shembullin e Republikës së Serbisë.

Brenda vitit nuk taksohen 576 milionë denarë

Analiza e asociacionit “Lindje” tregon se në grupet e Fejsbukut përmes të cilave organizohet transporti i paligjshëm ka së paku 50.000 anëtarë, numri i të cilëve sa vjen e rritet. Nëse vetëm 30 për qind prej tyre udhëtojnë tetë herë në muaj, ndonëse të anëtarësuarit janë kryesisht të punësuar të cilët udhëtojnë çdo ditë ose studentë që udhëtojnë çdo fundjavë, arrihet deri te shifra prej 120.000 udhëtarëve që udhëtojnë nga tetë herë me çmim mesatar të biletës prej 400 denarëve. Këto janë 48 milionë denarë të pataksuar brenda muajit, ndërsa brenda vitit 576 milionë denarë, buxheti është dëmtuar me së paku 2.880.000 denarë, pesë për qind TVSH, me 57.600.000 denarë tatim të fitimit…, tregon analiza e „Lindje“-s.

Prej atje theksojnë se është brengosës fakti se në nivel ditor 70 për qind e udhëtarëve transportohen me transportues të paligjshëm, ndërsa vetëm 30 për qind me ata legjitim. Transportuesit e paligjshëm me automjete 6+1 ose furgona nuk kanë orar të vozitjes, të cilit do të ishin të obliguar t’i përmbahen, gjithmonë janë një hap para dhe janë kreatorë të “orareve personale të vozitjes“, varësisht nga numri i udhëtarëve që do t’i sigurojnë.

Përballë tyre, transportuesit legjitim posedojnë leje, orare të regjistruara të vozitjes, kanë obligim që t’u përmbahen orareve të vozitjes pa marrë parasysh nëse në autobus ka një udhëtar ose nuk ka udhëtar fare, ndërsa për mosmirëmbajtjen e linjës vijon gjobë dhe marrje të orareve të vozitjes në përputhje me Ligjin për transport në komunikacionin rrugor.

Parku vozitës me autobusë bëhet i papërdorshëm, i shtrenjtë për mirëmbajtje, jorentabil, ndaj transportuesit u ekspozohen shpenzimeve të reja plotësuese për furnizimin e minibusëve për shkak të uljes së shpenzimeve, e në interes të mbijetesës dhe mirëmbajtjes së linjave ekzistuese, sqaron Tërpkovski.

Paguhet dëmshpërblim për automjetet që u janë marrë transportuesve të paligjshëm

Prej nëntorit të vitit 2012 deri në janar të vitit 2015 „transportuesve të paligjshëm” u janë marrë automjetet derisa Kushtetuesja nuk i anuloi nenin 99-a paragrafi 3 dhe 4 nga Ligji për transport në komunikacionin rrugor, me të cilët parashihej që Inspektorati për Komunikacion Rrugor lëshon vendim për marrjen e përhershme të automjetit në rast të përsëritjes së shkeljes nga ana e autorit të njëjtë ose me automjetin e njëjtë.

Përkundër faktit që është anuluar neni, nga asociacioni “Lindje” konsiderojnë se në ligjet me më shumë akte ka mundësi për zgjidhjen e problemit, gjegjësisht marrje të përkohshme të automjetit në kohëzgjatje prej 30 ditëve dhe për shqiptimin e masës në përputhje me shkeljen që e ka bërë transportuesi i cili nuk posedon as licencë themelore, e as që është i regjistruar për veprimtari kryesore dhe me punë të tjera për të qenë transportues legjitim.

Pas heqjes së mundësisë për marrjen e automjeteve dhe ankimimit, vendimet që Inspektorati për transport i ka shqiptuar në bazë të kësaj janë ankimuar kështu që ky institucion ka qenë i detyruar të paguajë gjoba dhe siç shprehen prej atje, kjo njëherësh edhe i ka demotivuar inspektorët e tyre.

Deri në miratimin e Vendimit nr. 70/1992 të 28 janarit të vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese Inspektorati Shtetëror për Transport ka marrë përkohësisht 91 automjete për një periudhë prej gjashtë deri 12 muaj, derisa 154 automjete janë marrë përgjithmonë.  Për një pjesë të zgjidhjeve me të cilat ishin marrë automjetet përgjithmonë janë dorëzuar padi në Gjykatën Administrative dhe ankesa në Gjykatën e Lartë Administrative. Gjatë procedimit të padive gjegjësisht ankesave, Gjykata Administrativ dhe Gjykata e Lartë Administrative kanë marrë vendime me të cilat i kanë anuluar dhe pezulluar vendimet për marrje të përhershme të automjeteve duke mos e respektuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 125 të Ligjit për procedurë të përgjithshme dhe administrative, shprehen nga Inspektorati Shtetëror për Transport dhe bëjnë të ditur se me anulimin dhe pezullimin e vendimeve janë përballur me probleme financiare.

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror për Transport Rufat Huseini për MIA-n sqaron se autorëve të kundërvajtjeve, gjegjësisht transportuesve të paligjshëm u janë kthyer automjetet, ndërsa një pjesë e tyre të cilët pas marrjes së automjeteve kanë nxjerrë licenca, kanë parashtruar ankesa në gjykatat themelore dhe kanë marrë vendime për kompensimin e fitimit të humbur. Njëherësh, një pjesë e transportuesve të paligjshëm kanë parashtruar padi në gjykatat themelore për dëmtimin e automjeteve gjatë ruajtjes në Agjencinë për pasuri të sekuestruar dhe për humbjen e vlerës së automjetit për periudhën kur janë marrë, kanë marrë aktgjykime për dëmshpërblim.

Mbi të gjitha bazat Inspektorati Shtetëror për Transport ka paguar gjobë në vlerë prej 251.169,00 denarëve.

– Me aktgjykimet e këtilla u demotivuan inspektorët, e njëherësh u motivuan transportuesit e paligjshëm, numri i të cilëve dita-ditës vjen duke u rritur. Transportuesit e njëjtë të cilëve ne u paguam dëmshpërblim vazhdojnë punën e paligjshme”, deklaroi Huseini.

Inspektorati Shtetëror për Transport, vitin e kaluar ka sanksionuar 243 transportues

Në Inspektoratin Shtetëror për Transport janë të punësuar 16 inspektorë për komunikacion rrugor të cilët ushtrojnë mbikëqyrje inspektuese sipas Ligjit për transport në komunikacionin rrugor, Ligjit për transport të materieve të rrezikshme në komunikacion rrugor dhe hekurudhor dhe Ligjit për orarin e punës të punëtorëve mobil në komunikacionin rrugor dhe aparatet për regjistrim në komunikacionin rrugor, ndërsa një pjesë të orarit të punës inspektorët për komunikacion rrugor e kanë humbur edhe me shkuarjen në Gjykatë gjatë vendosjes lidhur me paditë e parashtruara.

“Përkundër të gjitha problemeve që i ka Inspektorati Shtetëror për Transport përmes inspektorëve shtetëror për komunikacion rrugor gjatë vitit 2018 ka ndërmarrë masa dhe sanksione kundër 243 transportuesve të paligjshëm. Duhet përmendur edhe atë se Komisioni që vendos për kundërvajtjet, që i zgjidhë Kërkesat për nisjen e procedurës kundërvajtëse për transportuesit e paligjshëm ende është duke i zgjidhur ato prej vitit 2015. Që puna jonë të japë rezultate Komisioni duhet sa më shpejtë t’i zgjidhë kërkesat tona, ndërsa DAP-i duhet të veprojë dhe t’i realizojë gjobat e shqiptuara nga Komisioni për kundërvajtje i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, në të kundërtën puna jonë nuk jep kurrfarë rezultatesh, sqaroi Huseini.

Në përputhje me Ligjin për transport në komunikacionin rrugor, kompetenca për dhënien e licencave dhe gjithë dokumentacionit për transportin me taksi është e Këshillit të komunave dhe kryetarëve të komunave. Çdo transport i udhëtarëve fillon prej ndonjë komune, përfundon në ndonjë komunë tjetër dhe në fund transportuesi sërish kthehet në vendin prej ku e fillon transportin, në komunën amë. Sipas Ligjit, transporti me taksi është kompetencë komunale dhe secila komunë ka obligim ligjor të ketë inspektorë të autorizuar për komunikacion rrugor.

– Sipas njohurive tona ka më shumë se 60 inspektorë të autorizuar komunal. Ata kanë bazën e të dhënave me taksi-kompani të licencuara që kanë të drejtë të ushtrojnë transport taksi. I shikojnë edhe tjerët që nuk janë të licencuar dhe punojnë në mënyrë të paligjshme. Në përputhje me ligjin i kanë kompetencat e njëjtë si edhe inspektorët e Inspektoratit Shtetëror për Transport. Inspektoratet shtetërore nuk kanë të drejtë të ndërmarrin masa dhe sanksione nëse transporti ushtrohet në territorin e komunës meqë kjo bën pjesë nën kompetencë të komunës, shprehet Huseini.

Këshilli i inspektimit inicion mbikëqyrje të jashtëzakonshme, ndërsa inspektorët komunalë referojnë para pushtetit lokal

Edhe deri te Këshilli i inspektimit, siç deklaroi drejtorja Magdalena Filipovska Grashkoska, gjatë periudhës së kaluar janë dorëzuar disa parashtresa dhe iniciativa nga shoqata të transportuesve me autobusë dhe persona tjerë juridik, e që kanë të bëjnë me transportin e paligjshëm të udhëtarëve.

– Duke marrë parasysh seriozitetin e këtyre çështjeve, Këshilli i inspektimit ka mbajtur takime me përfaqësues të shoqatave të transportuesve dhe Inspektoratit Shtetëror për Transport dhe në bazë të iniciativave të dorëzuara në disa raste ka lëshuar urdhëresa për mbikëqyrje të jashtëzakonshme në të cilat kanë qenë të përfshira institucione përkatëse kompetente, kryesisht për rajonin e Shtipit dhe Manastirit. Nëse merret parasysh se në nenin 88 të Ligjit për transport në komunikacionin rrugor është definuar se inspektorët shtetëror të transportit kanë kompetencë për transportin e udhëtarëve në komunikacionin rrugor mes komunave, ndërsa inspektorët e autorizuar të komunës janë kompetentë për mbikëqyrje dhe kontroll të transportit në kuadër të komunës në Këshillin e inspektimit në procedurën gjatë lëshimit të urdhrave konkrete kërkohej bashkëpunim edhe nga komunat kompetente, deklaroi për MIA-n, Filipovska Grashkoska.

Këshilli i inspektimit, në përputhje me Ligjin për mbikëqyrje të inspektimit, sqaroi se nuk ka kompetencë mbi inspektorët komunal, duke marrë parasysh se ata janë pjesë e vetëqeverisjes lokale dhe për shkak të kësaj përgjigjen para pushtetit lokal.

Filipovska Grashkoska pajtohet se nevojitet ekipim më i madh kadrovik në Inspektoratin Shtetëror, ku prej gjithsej 26 inspektorëve, 16 janë për komunikacion rrugor. Në numrin e përgjithshëm hyjnë edhe inspektorët shtetërorë për rrugë dhe për teleferikë dhe ski-lifte. – Duke marrë parasysh ekipimin e këtillë kadrovik të Inspektoratit, Këshilli konsideron se duhet të rritet numri i llojit adekuat të inspektorëve duke marrë parasysh rrezen e veprimit të punës së tyre, por kjo çështje është në kompetencë të drejtpërdrejtë të vetë shërbimit inspektues, deklaroi drejtorja e Këshillit të inspektimit.

Rritje të numrit të inspektorëve paralajmërohet edhe me Ligjin e ri për mbikëqyrje inspektuese, që u miratua javën e kaluar në seancë qeveritare, pasi që analizat kanë treguar deficit të këtij kuadri për të gjitha fushat e punës.

Ulja e ekonomisë gri është njëra prej katër reformave parësore që duhet të sigurojnë klimë më të mirë biznesi në Maqedoni, sipas vlerësimit të kompanive të përfshira me hulumtimin e klimës së biznesit në Maqedoni në vitin 2018 përmes projektit „Partneritet për rregullim më të mirë të biznesit“.