Toshta: nuk e kam sulmuar, por e kam shpëtuar Selën


“Nuk kam pasur për qëllim të sulmoj Ziadin Selën. Hyra në Kuvend pasi që pashë se shumica e turmës që kishte dalë të protestojë më 27 prill kishin hyrë në Kuvend, e jo për të sulmuar dikë”, me këto fjalë u arsyetua para trupit gjykues i akuzuari për tentim-vrasje, Aleksandar Janevski-Toshta, i cili për 8 muajsh ndodhet në paraburgim për tentim-vrasjen ndaj Selës.
Ai nuk pranon se ndaj Selës ka ushtruar dhunë vazhdimisht dhe se assesi nuk ka dashur të vë në rrezik jetën e tij. Toshta pretendon se i kishte ndihmuar Selën për t’u ngritur në këmbë dhe se ka dashur ta evakuojë atë, por sulmuesit kanë qenë më të shpejtë se ai dhe e kanë marrë Selën.
Aleksandar Janevski-Toshta në gjykatë foli për momentin ku sulmuesit me boksa e kanë rrahur dhe zvarritur Selën. Ai tha se nuk ka qenë pjesë e kësaj turme dhe se sulmuesit e vërtetë të Selës nuk ndodhen në gjykatë.
Toshta në deklaratën e tij vazhdimisht insistoi se ai nuk ka pasur për qëllim të sulmojë dikë, por vetëm ka hyrë në Kuvend rastësisht, pasi shumica kishin hyrë. Ai shpjegoi se fillimisht kishte qenë lart, në galerinë e gazetarëve, dhe më pas Vllatko Gjorçev e kishte thirrur poshtë që të ndihmojë në mbrojtjen e deputetëve.
Ndërkaq, kryetari i Gjykatës Penale, Ivan Xholev, në brifing me gazetarët tha se pas ankesës së fundit të pranuar dhe pas vlerësimit që duhet dhënë në afat prej 8 ditësh për aktakuzën e ngritur nga prokuroria për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit, për dhunën më 27 prill në Kuvend, deri në fillim të qershorit do të duhet të fillojë seanca e parë gjyqësore./RTM