Timonie: Franca së shpejti do ta ratifikojë protokollin për NATO-n, për Raportin e KE-së do të diskutohet


Procedura e ratifikimit të protokollit për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO nga ana e Francës është në rrjedhë dhe do të përfundojë në të ardhme të afërt, ka deklaruar sot ambasadori i Francës në vend, Kristijan Timonie.

“Ajo është procedurë e cila është në rrjedhë. Parlamenti francez siç e dini është i përbërë nga dy elemente të veçanta, Kuvendi dhe Senati. Ne konsiderojmë se procedura do të duhet të përfundojë pasi nuk ekziston asnjë pengesë ajo të bëhet në të ardhme të afërt”, ka thënë Timonie.

Ai ka shtuar se Franca momentalisht gjendet në periudhën e reformave dhe siç ka shtuar “çdoherë kur ka reforma ka edhe bujë”.

Në pyetjen nëse Franca do të përkrahë hapjen e negociatave me BE-në, ambasadori ka thënë se nuk mund të prejudikoj, por që raporti do të diskutohet me simpati dhe qëllim të mirë.

“Siç e dini, kishte zgjedhje, pra vendi gjendet në periudhën e diskutimeve të mëdha, diskutohen shumë tema mes më shumë partnerëve dhe unë nuk mund të prejudikoj lidhur me përgjigjen e kësaj çështje, por atë që mund ta potencoj dhe them është se raporti do të diskutohet me simpati dhe qëllim të mirë”, ka shtuar Timonie pas Simulimit të sotëm në konferencën për gjuhën frënge në MPJ.