Thaçi: Të eliminohen përplasjet brenda organizimit politik të shqiptarëve


Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, sot para dite ka vendosur kurora lulesh pranë varrit të kryetarit të ndjerë Arbën Xhaferi, duke përkujtuar 70 vjetorin e lindjes së tij, njofton Zhurnal.

Ai një deklaratë për media tha se shqiptarët e Maqedonisë detyrimisht duhet të ngrihen në nivelin e kombeve tjera evropiane.

“Mendoj se mungesa e udhërrëfyesve gjatë historisë për popujt e ndryshëm ka treguar se sjell përplasje kombëtare dhe ngatërresa mes njerëzve. Kjo nuk duhet të jetë mungesë te shqiptarët e Maqedonisë. Sot është 70 vjetori i lindjes të Arben Xhaferit, mendoj se shumica absolute e shqiptarëve tash më jo vetëm që jetojnë në Maqedoni e kanë të qartë se udhërrëfyesi i vërtetë është Xhaferi, programi dhe platforma e tij, që thotë se shqiptarët e Maqedonisë detyrimisht duhet të ngrihen në nivelin e kombeve të tjera evropiane dhe t’i gëzojnë të gjitha të drejtat, si dhe të kenë një autonomi të vërtetë të vendimmarrjes institucionale”, tha Thaçi.

Ai më tej shtoi se kjo do të jetë një mesazh që të eliminohen përplasjet dhe ngatërresat e panevojshme brenda organizimit politik të shqiptarëve.