Thaçi premtoi armatë dhe kërkoi ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në fjalimin tadicional vjetor para deputetëve në Parlamentin e Kosovës theksoi se prioritet i përbashkët mbetet angazhimi i vazhdueshëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për të cilën gjë ai është angazhuar gjithmonë.

Ndër prioritetet kryesore në këtë aspekt, ai ka thënë se ishte edhe vazhdimi i punës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Ky është një proces shtetëror i natyrshëm dhe i domosdoshëm, i cili vjen edhe si rezultat i punës së pjesëtarëve të FSK-së, të cilët e kanë ngritur nivelin e përgatitjes dhe tani janë të gatshëm për detyra e kompetenca të reja. Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë shumetnike në të cilën mbi 10 për qind e pjesëtarëve të saj vijnë nga komunitetet joshumicë”, ka thënë ai.

Forcat e Armatosura të Kosovës, Thaçi ka thënë se do ta ruajnë dhe fuqizojnë karakterin shumetnik.

“Tani jemi pothuajse në fazën përfundimtare të përpjekjeve tona për të siguruar përkrahjen që procesi i themelimit të FAK-ut të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Këtë jemi duke e bërë dhe do ta bëjmë në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët tjerë strategjikë. Unë sot ju siguroj se Kosova gjatë vitit 2018 do të ketë kapacitetet e veta mbrojtëse, pra një ushtri moderne që do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kudo në botë”, ka pohuar Thaçi.

Në vazhdim të fjalimit të tij vjetor para deputetëve, ai ka thënë se kredibiliteti shtetëror i Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe shpejtësia me të cilën i afrohen anëtarësimit në BE dhe NATO, varet kryesisht nga serioziteti në përmbushjen e obligimeve shtetërore.

“Në këtë aspekt, ne nuk mundemi që në vazhdimësi të drejtojmë gishtin nga BE-ja, NATO-ja apo bashkësia ndërkombëtare duke kërkuar që t’i mbajmë ata fajtorë të vetëm për ngecjet tona. Ne duhet t’i pranojmë gabimet dhe t’i përmirësojmë ato sa më shpejt që mundemi, sepse vetëm kështu mund ta zëmë hapin me shtetet fqinjë në procesin e integrimeve euroatlantike. Prandaj, duhet ta ratifikojmë pa humbur kohë marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje i jep fund izolimit të padrejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.