Thaçi: Мos i dëgjoni të tjerët se çka flasin, zgjedhja e Pendarovskit është në drejtim të integrimeve euroatlantike


Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) e mbajti tubimin e fundit në Tetovë, ku ishte theksuar mbështetja për kandidatin presidencial të LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski.

Kryetari i partisë Menduh Thaçi theksoi se zgjedhja e  Pendarovskit për president është në drejtim të integrimeve euroatlantike dhe bashkëpunimit të partisë me bashkësinë ndërkombëtare.

“Kam punuar me Pendarovskin kur ishte president Boris Trajkovski. Shumë më pyesin se a do të ndryshojë Pendarovski kur do të fitojë në zgjedhje. Unë ju premtoj se integrimi në NATO do të realizohet. Këto zgjedhje presidenciale janë shumë të rëndësishme dhe mos i dëgjoni të tjerët se çka flasin. Ne udhëheqim një politikë të mençur me të cilën i ruajmë shtëpitë dhe familjet dhe jemi krenarë për këtë. Unë këtë zgjedhje e konsideroj sukses dhe rrugë të vërtetë nëpër të cilën ecën PDSH-ja”, theksoi Thaçi.

Nënkryetari i PDSH-së Bardhyl Dauti të pranishmit i porositi se në kuadër të integrimit të shtetit drejtë NATO-s dhe Bashkimit Evropian është me rëndësi që të mbështetet kandidati Stevo Pendarovski.

“PDSH-ja nuk është konfuze, PDSH-ja është shumë e qartë, për integrimin në NATO dhe BE”, tha Dauti.

Me qëndrime të ngjashme politike për votim në zgjedhjet presidenciale të dielën folën edhe një numër i madh funksionarëve politikë nga degët lokale të PDSH-së.