Të shtunën takim Mickoski- Ahmeti në Shkup


Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski do të takojë të shtunën liderin e BDI-së Ali Ahmeti. Takimi siç mëson Medial.mk, do të mbahet në selinë e partisë maqedonase opozitare në Shkup. Takimi do të jetë njohës dhe protokollar, ndërsa siç thonë në BDI do të bisedohet edhe për emrin dhe reformat, por në asnjë mënyrë nuk do të bisedohet për gjuhën.

Sipas partisë së Ahmetit, gjuha është çështje e mbyllur dhe se nuk ka asnjë nevojë të diskutohet me opozitën e aq më pak në një takim të tillë protokollar dhe njohës.

Në këtë takim Mickoski pret diskutim për problemet reale dhe situatën aktuale politike dhe ekonomike në vend.

“Kemi ne fakte dhe argumente tona për shumë çështje. Do të shohim si do t’i prezantojmë ato fakte dhe argumente, në drejtim të përmirësimit dhe cilësisë së jetës së qytetarëve tanë ky është qëllimi themelor dhe elementar – si nga ky vend të bëjmë vend më të mirë për jetesë. Populizëm të zhveshur dhe pasione të ulëta nuk do të praktikojmë në politikën tonë”, ka thënë Mickoski.