Të rinjtë janë viktima më të shpeshtë të krimit nga urrejtja


Viktima më të shpeshta të krimit nga urrejtja janë të miturit. Incidentet ndodhin në lagje etnikisht të përziera dhe shkolla, në linjat e autobusëve të përdorura nga pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme etnike, si dhe në vende ku vepra si pasojë e urrejtjes ka ndodhur edhe në të kaluarën, transmeton gazeta Lajm.

Në shumicën e rasteve është një grup i madh i të miturve që sulmojnë një ose më shumë viktima pa provokim, rrahje në grupe, sulme apo rrahje në një stacion autobusi ose autobus, gjatë ditëve të zakonta ose pas një ngjarje sportive.

Analizat e bëra nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në kuadër të projektit, i cili zbatohet vazhdimisht në pesë vitet e fundit në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së ne Shkup, tregojnë se në periudhën e krizës së refugjatëve në vitin 2015, duke pasur parasysh fluksin e madh të refugjatëve, gati 50% e viktimave i përkasin kategorisë se refugjatëve apo emigrantëve.

“Gjatë vitit 2017 ishin regjistruar 70 raste të urrejtjes. Duhet të theksohet se këto vepra janë si pasojë e paragjykimeve, siç janë perceptimi për viktimën dhe kryerësin e veprës, diferencës midis viktimës dhe dhunuesit në baza etnike, komentet e bëra në vendin e ngjarjes, formës dhe shpeshtësisë së kryerjes së veprave të caktuara, lloji i dhunës, si dhe koha dhe vendi i ekzekutimit të krimeve të urrejtjes”, tha Uranija Pirovska, drejtore ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut.

Numri i saktë i viktimave nga krimi si pasojë e urrejtjes në vitin 2017, siç theksohet, ende është në përpunim e sipër, por ajo që vërehet gjatë përpunimit të të dhënave është se viktimat janë meshkuj të rinj. /Lajm